Ish-mbrojtësi i Vllaznisë dhe i Kombëtares, Hysen Zmijani, ka bërë një analizë të dy përballjeve të shkodranëve ndaj rumunëve të Universitatea Kraiovës, në kompeticionin europian të Conference League.

Kështu, në një intervistë për “Panorama Sport”, ai tha se sipas tij, pavarësisht se Vllaznia kishte më shumë kohë se skuadrat e tjera shqiptare për t’u përgatitur për këto dy përballje, sërish mungesa e zhvillimit të ndeshjeve zyrtare kanë pasur ndikimin e vet.

Zmijani mendon se pas barazimit në Shkodër, besimi që Vllaznia të ishte në turin tjetër ishte më i vakët. Gjithsesi, sipas tij, nisur nga ajo që ka ofruar kjo skuadër në këto dy ndeshje, por edhe nga emrat që ka në përbërje, Vllaznia do të jetë kompetitive në sezonin e ri dhe pse jo të synojë edhe titullin kampion.

Ai u ka bërë analizë edhe futbollistëve të afruar, ndërsa shpreson shumë që sulmi të përmirësohet dhe të arrijë në lartësinë e reparteve të tjera. Ish-mbrojtësi shton se nuk kishte besim se Vllaznia e kalon Kraiovën, duke pasur parasysh forcën e madhe të klubit rumun, teksa ka rezerva për Zogoviçin në dy prej golave të pësuar në Rumani.

Poashtu, Zmijani u shpreh se ndeshjen e parë priste më shumë nga Vllaznia, ndërsa theksoi se në takimin e dytë ekipi shkodran kishte shumë luhatje.

“Takimin e parë e kam parë duke besuar se edhe mund të merrnim diçka më shumë, pavarësisht se ekipi kishte shumë për të dhënë. Barazimi normalisht që nuk ishte një rezultat i keq, por gjithsesi jo ai që ne prisnim.

Në takimin e dytë paraqitëm një lojë me shumë luhatje. Në fillim nuk patëm asnjë mundësi që të dilnim përpara. Pas atyre minutave të para, loja sikur u stabilizua. Mbyllja e pjesës së parë në barazim ishte një favor për ne. Megjithatë, në ato minuta që u duk se do të bënim diçka më mirë, ekipi i Kraiovës shfrytëzoi detajet që bënë diferencën.

As ata nuk ishin më lart se ne, por detajet bënë diferencën, pavarësisht se ishte më mirë në takimin e dytë, sërish portieri Zogoviç mund të bënte më të mirën në dy gola, në të parin dhe në të tretin. Këtë e them nga ajo që kam parë në TV.

Megjithatë, unë e thashë, ai ishte nga më të mirët në fushë. Shpëtoi disa herë ekipin nga gola të sigurt, madje nga shumë pranë. Ndoshta negative për ne ishte se, nuk kishim zhvilluar takime zyrtare, por disa përballje miqësore dhe skuadra në to, nuk ka se si të tregojë më të mirën dhe kjo ndikoi edhe tek këto dy takime.

Mund të kualifikohej Vllaznia ndaj një rivali të tillë? Të jem i sinqertë, më shumë jo se po. Megjithatë, gradualisht me kalimin e minutave në takimin e dytë, nëse ekipi do të kishte besuar më shumë në vetvete, edhe mund të kishim bërë më shumë për të arritur kualifikimin. E thashë, edhe ata nuk kishin ndonjë gjë më shumë se ne.

Ku duhet përmirësuar në sezonin e ri? Mendoj se duke filluar nga porta, mbrojtja dhe mesi i fushës. Ka më pak konkurrencë në pamje të parë nisur nga emrat e futbollistëve, por është më e konsoliduar. Megjithatë, kjo nuk duhet thënë për sulmin. Alternativat dhe konkurrenca duket se është më e madhe, por në këto dy ndeshje mund të them pa frikë se sulmi nuk ka shpërthimin që duhet.

Latifi dhe Vulaj kanë cilësi, por mendoj se janë shumë larg pritshmërive. Ndërrimet që u bënë në takimin e dytë në vijën e sulmit janë kualitative, por nuk janë të gatshëm. Poashtu edhe ata që u aktivizuan kanë vlerat e tyre. E kam fjalën për lojtarë si Çoba, Kruja dhe Hoxhaj në krahë dhe braziliani Nunesh me Aralicën.

Sulmi më duket shumë i vakët. Ndoshta këtu duhet bërë më shumë. E thashë, mbrojtja është mirë. Juriç ka zëvendësuar më së miri Adilin. Dy krahët tashmë dihet se janë pikat të forta, ndërsa Bulatoviç po shkon shumë mirë. Edhe Shehi me futbollistët e tjerë nuk qëndron pas. Në mesin e fushës me Boshnjakun është stabilizuar shumë, poashtu edhe me Markun apo Heriç, duke llogaritur vlerat e Jonuzit. Për sulmin nuk mund të them ende se jemi në vijë.

Kohë për përmirësim? Them se po. Ka kohë deri në startin e kampionatit. Unë besoj se edhe ata futbollistëve që ende nuk kanë kapur formën, mund ta arrijnë atë.

Ka potencial për të pretenduar për kampion. Nga emrat dhe nga cilësitë që mbartin këta futbollistë, duhet të pretendojnë për kampionat, pastaj, se çfarë do të japin, mbetet për t’u parë sapo të fillojë kampionati. Mendoj se kontigjenti është. Tashmë do të jetë një punë e madhe edhe e trajnerit Josa për të arritur që të marrë më të mirën nga gjithsecili prej tyre”,-mbylli prononcimin e tij, ish-futbollisti i Vllaznisë dhe i Kombëtares, Hysen Zmijani.

Maringlen ZHIVANI