Korriku ka qenë një muaj i nxehtë për basketbollin shqiptar, pasi ishin plot gjashtë ekipe përfaqësuese të grupmoshave të ndryshme, që kanë zbritur në parket për të marrë pjesë në turnetë kontinental.

E fundit që ka zbritur në parket ka qenë Kombëtarja e nën-18-vjeçarëve, që i luajti në San Marino ndeshjet e turneut të saj europian, që nisën më 24-korrik dhe u mbyllën ditën e djeshme. Shqipëria ka marrë tre fitore në grup, përkatësisht ndaj San Marinos, Maltës dhe Andorrës dhe ka pësuar vetëm një humbje, duke e mbyllur në vendin e dytë të renditjes.

Kështu, Kombëtarja e kësaj grupmoshe, e drejtuar nga trajneri Besnik Dervishi, ka vijuar më tej në gjysmëfinale, aty ku ka mposhtur bindshëm Azerbajxhanin, me shifrat 76-56.

Në finale, Shqipëria ka patur sërish përballë Monakon, duke u hakmarrë ndaj saj për humbjen në grup dhe duke e mundur me shifrat 93-78 dhe duke marrë edhe medaljen e artë të këtij turneu moshash.

Për t’u theksuar është se, në formacionin e Kombëtares U-18 bën pjesë edhe basketbollisti shkodran, Veton Gjeçaj. Djaloshi i talentuar që luan me numrin 13-të, me të njëjtin numër që ka luajtur me Kombëtaren edhe i ati i tij, Bledar Gjeçaj ka spikatur në fushën e lojës, duke bërë për vete, jo vetëm specialistët e basketbollit kuqezi, por edhe ato të Italisë, të cilët janë shprehur shumë pozitivisht për të ardhmen e tij sportive.

Me performancën e tij, Veton Gjeçaj ka dhuruar emocione të papërshkrueshme në këto ndeshje të turneut europian.

Me pak fjalë, basketbollisti shkodran Veton Gjeçaj po e nderon më së miri babain e tij, legjendën e basketbollit shkodran, Bledar Gjeçaj. Në fakt, Shkodra ka pasur dhe do të ketë gjithmonë talente në sporte të ndryshme, teksa një ndër këta që po jep shenjat e para për një të ardhme të ndritur, është edhe basketbollisti 17-vjeçar, Veton Gjeçaj.

Maringlen ZHIVANI