Gjatë kësaj jave edhe kombëtarja U15 e Shqipërisë do të zhvillojë ndeshje miqësore, pikërisht ndaj asaj të Malit të Zi, fillimisht në Shkodër dhe më pas në Podgoricë. Ndonëse FSHF ende nuk e ka bërë publike listën e kombëtares tonë që do të grumbullohet për këto ndeshje, KF Vllaznia ka zbardhur emrat e dy pjestarëve të saj që do jenë pjesë e ekipit. Ja çfarë shkruhet në faqen zyrtare të tij:

“Kombëtarja U15 e Shqipërisë do të grumbullohet nesër në Shkodër për dy ndeshjet miqësore që do të zhvillojë ndaj asaj të Malit të Zi. Sektori i ekipeve kombëtare pranë FSHF ka njoftuar sot KF Vllaznia se pjesë e kësaj kombëtareje për këto dy ndeshje do të jenë edhe dy futbollistët e Akademisë së saj.

Bëhet fjalë për portierin Tomas Kiri dhe për mesfushorin Arval Maliqi. Të dy ata do të jenë nesër në orën 12.00 në qendrën e grumbullimit në hotel “Havana” për t’u vënë në dispozicion të stafit teknik të kësaj kombëtareje.

Shqipëria dhe Mali i Zi për grupmoshat U15 do të zhvillojnë dy ndeshje miqësore. Fillimisht në Shkodër më datë 22 nëntor në stadiumin “Loro Boriçi” dhe pas dy ditësh në Podgoricë.

KF Vllaznia u uron suksese futbollistëve Kiri e Maliqi dhe një përfaqësim sa më dinjitoz me fanellën kuqezi!”