HomeFUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREDy futbollistë të Vllaznisë në formacionin më të mirë të javës

Dy futbollistë të Vllaznisë në formacionin më të mirë të javës

Sot, është mbyllur java e 11-të e Superiores me shumë gola të shënuar dhe veçanërisht me një Partizan që arrin të tregojë se është kandidat potencial për titullin kampion.

Të kuqtë e Ilir Dajës, që për arsye shëndetësore e ka ndjekur sfidën nga televizori, mposhtën me rezultat të thellë 4-1 Kukësin e Skënder Gegës. Kastrioti gjithashtu arriti të triumfonte ndaj Laçit pretendent, ndërsa Vllaznia “vallëzoi” me 5 gola kundër Skënderbeut.

Newsport.al ka përzgjedhur futbollistët që spikatën në këtë javë të 11-të Superiores si dhe trajnerin fitues. Nga Isli Hidi në portë, i cili arrin të surprizojë pavarësisht moshës së tij, e deri te Anthony i Bylisit në majën e sulmit.

FORMACIONI I JAVËS:

Isli HIDI – 40 vjeç dhe javë pas jave vijon të tregojë siguri dhe të njëjtat cilësi si kur ka qenë në kulmin e karrierës së tij. Sot, Kastrioti i tij fiton një ndeshje të vështirë ndaj një Laçi të uritur për pikë. Në katërkëndësh është siguri më vete. Arrin të merret vesh mirë me repartin e prapavijës dhe në dy raste flagrante për gol, është pikërisht Hidi njeriu që i mohon festën kurbinasve.

Andi HADROJ – Nëse Bylis fiton, një gjë të tillë e bën kur ka në formë një lojtar të palodhshëm si Andi Hadroj. Vrapon pa pushim dhe në linjën e djathtë “i nxin jetën” kundërshtarit. Arrin të konkretizojë performancën pozitive me një gol në minutën e 72-të të takimit.

Edy BOYOM – Qendërmbrojtësi i Kastriotit është më i miri sot në fushë në radhën e krutanëve. Zbaton me përpikmëri detyrat e dhëna nga trajneri Ramadan Ndreu dhe arrin të fitojë çdo dyluftim me kundërshtarin. Ka mbështetjen e Çelës në prapavijë dhe disa herë del përpara duke krijuar panik në zonat kurbinase.

Eneo BITRI – Mungon partneri i tij, Belica por duket se shtatlarti i prapavijës së kuqe po merret vesh me “sy” me Rron Brojën. Nuk gabon thuajse asnjëherë ndaj Kukësit, fiton çdo dyluftim në ajër dhe arrin të shënojë edhe golin e takimit që i dha sigurinë të kuqve për triumfin e thellë 4-1. Padyshim futbollisti që meriton një vend në formacionin e javës.

Indrit PRODANI – Në futboll gjithmonë duhet të jesh profesionist dhe një gjë të tillë e bën edhe i riu i Kastriotit. Arrin të japë maksimumin në linjën e majtë duke shënuar edhe një gol të rëndësishëm me vlerën e 3 pikëve për Kastriotin. Realizon dhe nuk feston përballë ish-skuadrës së tij.

Ernest MUÇI – Pozicioni i tij natyral është sulmues “pykë”, por me trajnerin Nevil Dede ai po bën një “10”-tsh të fshehur. Më i lëvizshmi në fushë për ekipin e Tiranës. Ka ritëm dhe driblon në ato pak mundësi që i jepen. Njeriu i asistit për Grent Halilin në momentin kur ky i fundit realizon ndaj Teutës në barazimin 1-1.

Jurgen BARDHI – Lojtari që ka 7 vite pjesë e të kuqve dhe që tani mund të quhet “i vjetër” për kohën në ekipin e Partizanit, por është vetëm 23 vjeç. Me Ilir Dajën në krye po shohim një futbollist të transformuar totalisht. Arrin të shpërthejë dhe e bën atëherë kur skuadra ka më shumë nevojë se kurrë. Iniciator i golit të parë, vrapon për 40 metra duke shmangur 4 futbollistë dhe jep një asist që shndërrohet në gol nga Jasir Asani. Për t’i vënë “kapakun” performancës së mrekullueshme arrin të realizojë golin e katërt .

Demir IMERI – “Merre bëje”, e kemi dëgjuar shpesh këtë shprehje në futboll e në një ditë të mrekullueshme të Ardit Hoxhajt, padyshim që meritë ka edhe shoku i skuadrës së Vllaznisë. Lojtari i shkodranëve asiston dy herë për sulmuesin vlonjat dhe për gjatë gjithë 90 minutave bën një lojë konstante. Me trajnerin Thomas Brdariç merret vesh mirë duke arritur t’i zbatojë me përpikmëri gjithë udhëzimet e tij.

Ardit HOXHAJ – Ky është viti i tij, padyshim. Siç deklaroi edhe pas sfidës, në këtë sezon futbollistik objektivat personal janë të mëdha. Talentin e ka shprehur qysh në futbollin e moshave, ndërsa tanimë në elitë po tregon pjekuri. Shënon 4 gola, diçka që s’i kishte ndodhur kurrë në karrierë. Topi është i tij dhe vendin në formacionin e javës e ka gjithashtu të sigurt.

Beji ANTHONY – Trajneri Dovedan është ankuar pothuajse gjatë gjithë këtyre 11 javëve për mungesën e sulmuesit. Por, sot afrikani arriti të merrte “zvarrë” të gjithë mbrojtjen fierake. Nuk shënon, por është aty për të asistuar shokët e skuadrës. Më i miri në fushë për ballshiotët në fitoren 3-1 ndaj Apolonisë.

Jasir ASANI – Përplasjet në distancë me trajnerin Ilir Daja duken thjesht një mirazh dhe diçka që i përkasin së kaluarës. Mëngjërashi i Partizanit ka rigjetur formën e tij dhe ndaj Kukësit, veç golit, bëri gjithçka që i duhej skuadrës. Lufton fort në mesfushë dhe depërton bukur në zonat e ngushta të verilindorëve duke ia bërë jetën “ferr” disa herë qendërmbrojtësit Horiç. Nëse vijon me të tillë ritëm, pushimet e verës vështirë se do i kalojë në Shqipëri…

TRAJNERI

Ilir DAJA nuk është në pankinë, megjithatë udhëzimet e tij ai i jep edhe përmes telefonit. Një duartrokitje të madhe padyshim për stafin e tij, Ilir Bozhiqin që nuk preferon asnjë minutë të qëndrojë brenda pankinës, por laget në shi për të përçuar me përpikmëri së bashku me Pollozhanin dhe Kalarin udhëzimet e Dajës. Tekniku kryeqytetas qëndron në shtëpi duke zbatuar protokollin e COVID-19, ndërsa stafi i tij e përshëndet me 4 gola kundër Kukësit.

Lojë e mirë e të kuqve, të cilët vuajnë vetëm 20 minutat e fundit të pjesës së parë. Në të dytën gjithçka ndryshoi pozitivisht dhe ndaj një kundërshtari direkt si Kukësi tregojnë se janë kandidatë për titullin kampion. Kësisoj trajneri i javës është padyshim gjithë stafi teknik i Partizanit që javë pas jave po marrin frytet e punës së mirë të tyre.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments