Kategori Superiore luajti ditën e sotme javën e 12-të dhe të fundit për vitin 2020. Të gjitha takimet u luajtën ditën e sotme duke prodhuar edhe rezultate surprizë. Klasikja e futbollit shqiptar, Tirana-Vllaznia u mbyll në barazim, 1-1, Laçi mposhti Partizanin 3-2 duke ulur me në “këmbë në tokë” të kuqtë, ndërsa Teuta “shkatërroi Kukësi 0-3.

Fitore të rëndësishme mbijetesë morën Apolonia dhe Skënderbeu ndaj kundërshtarëve të fortë si Kastrioti dhe Bylis. Newsport.al ju sjell edhe formacionin më të mirë të kësaj jave si dhe trajnerin fitues. Ne kete formacion bejne pjese edhe dy futbollistet e Vllaznise Erdenis Gurishta dhe Ardit Krymi.

Visar Bekaj: Tirana barazoi në shtëpi 1-1 ndaj Vllaznisë. Nëse bardheblutë nuk dolën të humbur nga “Selman Stermasi”, padyshim merita më e madhe ishte e portierit Bekaj. Porta e tij “bombardohet” në pjesën e dytë, por gardiani i afruar në merakton e verës tregon cilësi dhe i mohon fitoren Vllaznisë.

Harrallamb Qaqi: Skënderbeu merr një fitore të vuajtur 4-3 ndaj Bylist. Në mungesë të Bicajt, i takon atij që të bërë liderin në mbrojtje duke parë që ka mjaft eksperiencë. Mban larg sulmuesit kundërshtarë dhe shënon një gol shumë të rëndësisëhm në fitoren e korçarëve.

Renato Arapi: Teuta mori një fitore bindëse ndaj një rivali direkt për titull, Kukësit. Kapiteni durrsak ishte i pakalueshëm duke mos i dhënë asnjë mundësi Ezes apo Ibraimit që të shënojnë në portën e Frashërit. Ka dy mundësi të arta për të shënuar, por gabon shënjestër.

Erdenis Gurishta: Në krahun e djathtë është i pandalshëm, vrapon pa fund dhe jep shumë krosime në zonë që nuk shfrytëzohen edhe aq mirë nga shokët e skuadrës. Nëse Vllaznia është në vend të parë, një meritë ka edhe kapiteni Gurishta që nga ndeshja në ndeshje ka treguar rritje.

Ardit Deliu: Motorri i mesfushës së Laçit. Vrapon pa pushim gjatë gjithë ndeshjes dhe shkatërron çdo aksion të kundërshtarit. Një lojtar i rëndësishëm për Laçin që sjell ekulibra në mesfushë si dhe organizon lojën e skuadrës kurbinase.

Ardit Krymi: Në formacionin e Vllaznisë është i pazëvendësueshëm. Organizon lojën e skuadrës shkodrane dhe vrapon pa pushim. Nuk i lë asnjë mundësi lojtarëve kundërshtarë dhe zotëron të gjithë mesfushën. Çdo aksion i Vllaznisë kalonte nga këmbët e tij dhe Krymi nuk gabon pothuajse asnjëherë.

Mentor Mazrekaj: Trajneri Shëptim Duro i habit të gjithë, vendos të hedh nga minuta e parë Mentor Mazrekaj dhe bën zgjedhjen e duhur. “Menqa” nuk zhgënjen dhe sot mposht pothuajse i vetëm ish-skuadrën e tij Partizanin. Shënon dy gola, por gjithashtu dhuron spektakël duke treguar se nëse është në formën e duhur fizike mund bëjë sërish diferencën në Superligë. Laçi duket se ka gjetur liderin e ri.

Dejvi Bregu: Ndryshon pozicion në fushë duke luajtur si sulmues krahu i majtë dhe bën atë që di të bëjë më mirë. Driblon kundërshtarët, i rrezikshëm sa herë prek topin dhe ndeshjen e mbyll një gol shumë të rëndësishëm duke i dhënë qetësi Teutës. Nga ndeshja në ndeshje po tregon rritje duke arritur formën e tij më të mirë. Në kampin durrsak shpresojnë që vlonajti të vazhdojë më këtë ritëm pasi cilësit nuk i mungojnë aspak.

Mario Gjata: Në fillim të sezonit trajneri italian Kolela nuk i beson dhe e lë në stol. Sulmuesi nuk bën polemika dhe vendos të punojë akoma më shumë. Me trajnerin e përkohshëm Berova në stol rimerr vendin e titullar dhe sot me dy golat e tij i jep një fitore shprese Apolonisë ndaj një kundërshtari të fortë si Kastrioti.

Ernest Muçi: Tirana merr një barazim ndaj vendit të parë të Superligës, Vllaznisë. Talenti bardheblu shënon një gol nga një pozicion mjaft i vështirë duke treguar të gjithë klasin e tij. Sa herë prek topin është një “alarm” për mbrojtjen e Vllaznisë edhe pse nuk furnizohet shumë nga shokët e skuadrës bën gjithmonë diferencën.

Blerim Krasniqi: Nuk shënon gol ndaj Kukësit, por ishte padyshim një nga lojtarët më të mirë te Teutës në fushë. Lufton me mbrojtjen kukësiane dhe jep një assist fantastik për Krasniqin duke “vrarë” ndeshjen. Në këtë takim ajo i që i mungoi ishte vetëm goli, por me punën e bërë e meriton padyshim që të jetë në formacionin e më të mirëve.

Shpëtim Duro: I surprizon të gjithë duke hedhur në fushë si titullar Mentor Mazrekaj, madje edhe Partizanin që nuk kishin bërë siç duhet llogaritë. Vendos të lëri në stol Xhixhën dhe këto vendime në fund i japin të drejtë pasi Laçi mposhti me rezultatin 3-2, Partizanin.

Kurbinasit vinin në këtë ndeshje pas humbjes ndaj Kastriotit e përballë kishin një skuadër entuziaste që kishte mundur thellë Kukësin. Një ndeshje e dominuar nga Laçi që del me 3 pikë të plota ndaj një rivali të vështirë e për këtë merita është padyshim e trajnerit Duro.