Tërbunit i del situata nga kontrolli. Edhe pse ishin të bindur që të ruanin grupin e sezonit të kaluar, nuk po ia dalin dot. Pas Klajdi Kukës, Erik Lumanit, Skënder Lilajt, Jurgen Peqinit dhe Tinga Teit, largohen edhe Albert Keko me Vilson Lilën. Arsyet nuk janë mësuar ende, por është e qartë se kanë krijuar një boshllëk të madh në sulm dhe mbrojtje.
Gazeta “Panorama Sport” mëson se i pari është larguar direkt pasi u mbyll miqësorja që luajtën kundër Luzit në fundjavë. Ai ka diskutuar me drejtuesit dhe ka shpallur “divorcin”.
Gjasat janë që t’i bashkohet Lushnjës, ekip ku ka nisur rrugëtimin në futboll. E megjithatë, vetëm në vazhdim do të mësohet më shumë. Sakaq, drejtuesit nuk tremben nga këto largime.
Ata janë të sigurt që do të sigurojnë shumë shpejt elementët e duhur në merkato. Qëllimi është që të ndërtojnë një grup dinjitoz, që të përballojë me sukses garën. Ata janë në bisedime me disa lojtarë të tjerë, mes tyre një qendërmbrojtës, një mesfushor dhe një sulmues.
Kjo javë do të jetë vendimtare për merkaton, pasi negociatat janë intensifikuar. Ka edhe lajme të mira për pukjanët. Zyrtarisht Samed Ruqi, David Marku dhe Aleksander Filipi kanë rinovuar. I pari ka nënshkruar kontratë sezonale, ndërsa dy të rinjtë me opsionin 1+1.