Vllaznia e mbylli aventurën e saj në Europë që në raundin e dytë të Conference League. Shkodranët nuk mundën që të kalonin Univ.Craiovan, që rezultoi një kundërshtar i fortë jo vetëm në letër. Megjithatë tek kuqeblutë shpresat për të bërë mirë në edicionin e ri në kampionat janë shumë të mëdha.
Në një kohë kur Superliga do startojë në datën 20 gusht, më herët se asnjëherë. Skuadra e Vllaznisë do vijojë përgatitjen stërvitore në Shkodër.
Kjo pas fazës së zhvilluar në Austri në fillimin e muajit korrik. Tashmë ekipi i drejtuar nga Mirel Josa, do marrë dorën e fundit të përgatitjeve për fillimin e sezonit të ri. Që patjetër do ketë vështirësitë e veta.
Por një vëmendje do ketë edhe në merkato. Vllaznia është përforcuar me emra si: Juriç, Shehi, Marku, Vulaj apo edhe Boshnjaku në merkaton e verës. Ku nuk duhet harruar as edhe rikthimi i sulmuesit, Kaina. Por sërish duket se do ketë ndonjë afrim të ri deri në fundin e merkatos.
Reparti ku synohet të përforcohet skuadra është ai i sulmit. Kjo për të shtuar akoma edhe më tepër cilësinë. Trajneri Josa është shprehur se skuadra është e kompletuar për momentin. Por një “goditje” në merkato që mund të bënte diferencën, patjetër që do ishte e mirëpritur në çdo moment.
Endri ÇINARI