Stërvitja e fundit që ka zhvilluar sot përfaqësuesja U-21 e Shqipërisë i ka shërbyer trajnerit Alban Bushi për të vendosur piketat mbi rreshtimin që do të hedhë në fushë nesër ndaj Sllovakisë.
Tekniku i kuqezinjve të vegjël kishte disa dilema që duhej të zgjidhte, pas dëmtimeve të disa titullarëve fiks dhe atyre të cilët tanimë janë bërë pjesë e përfaqësueses A dhe janë vënën nën urdhrat e Kristian Panuçit.
Shqetësimi i parë i teknikut ishte ai rreth emrit që do të zëvendësonte Selmanin në katërkëndorin kuqezi.
Edhe pse Kastrati ka qenë vazhdimisht pjesë e Shpresave dhe shihej gjithmonë si alternativë e parë e portierit të Laçit, forma që po kalon debutuesi Sherri në kampionat me Vllazninë ka bindur Bushin që t’i besojë këtij të fundit fanellën e titullarit.
Para tij do të rreshtohet katërshja e mbrojtjes me Tolin e Tafën në qendër dhe Malokun e Cekën nga krahët.
Vendin e Ramadanit në qendër të mesfushës do ta zërë një tjetër element nga Kategoria Superiore, futbollisti i Vllaznise Ardit Krymi, i cili do të rreshtohet përkrah dy titullarëve të paprekshëm Bare dhe Ndoji.
Ndërkaq, nga krahët do të veprojnë Seferi dhe Çekici, dyshja ofensive që do të mbështetë Rei Manajn, i vetëm në qendër të sulmit. /vipsport/