Kthehen sirenat e merkatos për mbrojtësin e përfaqësueses shqiptare, Elseid Hysaj. Futbollisti i cili aktivizohet me Napolin, vazhdon të jetë një nga emrat më tërheqës në Europë sa u përket lojtarëve që aktivizohen në krahët e mbrojtjes, pavarësisht kritikave që ka marrë kohët e fundit për disa paraqitje jo shumë bindëse në kampionatin italian. Mediat italianë bëjnë të ditur se 23-vjeçari po monitorohet nga klube shumë të njohura të futbollit botëror të cilat janë gati të bëjnë lëvizjen e tyre për të nënshkruar me lojtarin.

Bajern Mynih në Gjermani dhe Liverpuli në Angli janë dy klubet që duken më pranë lojtarit dhe ku ai do të mund të shprehet më mirë potencialin e tij për vetë mënyrën e lojës që bëjnë.

Për të blerë lojtarin nuk është shumë e vështirë në fakt, pasi mjafton që klubet në fjalë të paguajnë klauzolën prej 50 milionë eurosh që presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis, i ka vendosur atij në kontratë në momentin e rinovimit të saj një vit më parë.

Gjithsesi, asnjë lëvizje nuk do të bëhet para verës së ardhshme. Hysaj, ashtu si të gjithë yjet e tjerë të Napolit, vendosën të mos lëviznin nga ky klub, për të synuar që në këtë edicion të fitonin titullin kampion që i mungon prej 3 dekadash këtij qyteti.

Futbollistët kishin lidhur një pakt gjatë verës që të mos largoheshin për të synuar këtë objektiv madhor, ndaj Hysaj dhe shokët e tij refuzuan çdo ofertë që erdhi në adresë të tyre, përfshirë edhe atë të Juventusit që u interesua për futbollistin shqiptar. /vipsport.al/