Fundi i vitit gjithmonë ka fjalë për afrime dhe lar gime. Sigurisht të gjithë mendojnë për afrime lojtarësh. Tirana dihet që kërkon një qendërsulmues, por nga ana tjetër, nga grupi mund të ketë largime.

Si fillim është Redon Xhixha, i cili mund të shitet nga KF Tirana. Gjithsesi, bardheblutë për të shitur yllin e ekipit kërkojnë minimalisht 500 mijë euro për të mos thënë më shumë. Ama përtej të gjithave ka të tjerë futbollistë që mund të humbasë Tirana në këtë janar.

ZHIVANAJ – Realf Zhivanaj është një nga futbollistët që mund të largohet në janar.Zyrtarisht nuk ka asgjë konkrete, por lojtari ka folur, ndonëse klubi nuk ka dhënë ndonjë vendim përfundimtar.

Fakt është që Zhivanaj kërkon më shumë hapësira për të ardhmen. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në javët në vazhdim.

LIMAJ – Vesel Limaj është një nga lojtarët më të talentuar dhe më të mirë të Tiranës.Këtë sezon mesfushori i ka vuajtur jo vetëm dëmtimet, por edhe stolin e rezervave. Në fakt edhe Europa nuk ishte fatsjellëse.

Lojtari nuk ia doli të largohej në verë, teksa tani për të janë disa oferta që nuk janë konkretizuar. Lojtari kërkohet nga disa skuadra, gjithsesi, në tavolinën e klubit nuk ka ndonjë gjë konkrete.

Dihet që Limaj është një nga futbollistët që çmohet shumë prej Orges Shehit dhe në titullin e vjetshëm, ndërsa Tirana mund ta lëshojë vetëm për ndonjë ofertë të madhe në janar.

Një arsye që mund të çojë në largimin e Limajt është fakti që po qëndron në stol dhe lojtari ka si qëllim të luajë titullar dhe zor se mund të pranojë më të jetë zgjedhje e dytë.Gjithsesi, edhe për Limajn, gjithmonë nëse dëshiron të ikë, në dorë e ka KF Tirana.

MERKATOJA – Bardheblutë gjatë verës bënë një spastrim në ekip duke fituar gati 1 miliard lekë nga shitja e lojtarëve.

Tirana, pasi fitoi titullin, humbi kapitenin Hoxhallari me parametra zero, shiti golashënuesin më të mirë, Seferin, edhe gjithashtu Totren e Tolin, dy lojtarë titullarë në triumfin e sezonit të shkuar.

Natyrisht, bardheblutë arkëtuan si askush tjetër: 820 mijë euro. Po, është një shifër e majme, por ama prekën boshtin e skuadrës.