Vllaznia bën gati skarcimet e para nga skuadra në prag të hapjes së merkatos së janarit. Edhe pse zyrtarisht klubi shkodran nuk ka bërë një konfirmim sa u përket lëvizjeve që mund të ndodhin në dalje, “Panorama Sport” mëson se dy të larguarit e parë do të jenë pikërisht lojtarë të huaj.

Bëhet fjalë për kongolezin e shumëpërfolur Kristofer Mandiangu dhe moldavin Eugen Sidorenko. I pari erdhi me bujë te Vllaznia në verën e këtij viti, duke qenë një nga lojtarët më të paguar në skuadër me një pagë prej 4 mijë eurosh në muaj. Mirëpo, 28-vjeçari që ka edhe pasaportë gjermane ka qenë shumë i pafat.

Ai është dëmtuar shpesh dhe asnjëherë nuk ka qenë gati për trajneri Tomas Brdariç në tetë javët e para të këtij kampionati. Mandiangu ka luajtur këtë sezon vetëm 44 minuta në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë kundër Elbasanit më 13 nëntor, teksa shënoi edhe një gol në fitoren 8-0.

Gazeta ka pyetur për të ardhmen e sulmuesit të krahut vetë trajnerin Brdariç, i cili ndër të tjera ka thënë: “Mandiangu është një djalë shumë i pafat. Ai po bën shumë përpjekje për të qenë me ekipin, por shëndeti i tijduhet të përmirësohet për të ndihmuar skuadrën”.

Ndërkohë, ndryshe qëndron situata me Sidorenkon, i cili ka qenë pjesë e rëndësishme e skuadrës në fazën e tretë dhe të katërt të sezonit të kaluar, kur ekipi u drejtua nga Mirsad Jonuz dhe Hysen Dedja. Moldavi është nën kontratë me Vllaznisë deri në mbyllje të këtij viti dhe klubi nuk ka asnjë vullnet për të rinovuar marrëveshjen, pasi Brdariç e ka jashtë planeve. Këtë e tregon edhe fakti se mesfushori me tipare sulmuese nuk është grumbulluar në asnjë ndeshje të këtij kampionati.

AFRIMET – Në listën e federimeve të skuadrës së parë me 25 lojtarë, me largimin e Sidorenkos dhe Mandiangusë, Vllaznia do të shtojë dy emra të njohur. I pari është mbrojtësi i djathtë shkodran, Abdurrahman Fangaj, i cili u prezantua zyrtarisht nga klubi në fund të muajit shtator, duke firmosur një parakontratë me kohëzgjatje për 3 vite.

Mirëpo, duke qenë se vinte nga një operacion në gju pas dëmtimit në sezonin e kaluar kur ishte pjesë e Laçit, 23-vjeçari nuk u federua nga Vllaznia. Sipas asaj që ka raportuar vetë klubi, kontrata e Fangajt do të hyjë në fuqi në janar 2021. Aktualisht periudha e riaftësimit të mbrojtësit po shkon mirë dhe gjasat janë që në muajin e ardhshëm ai të jetë pjesë e grupit kuqeblu.

Nga ana tjetër, një goditje cilësore në krahët e sulmit për Vllazninë mund të quhet afrimi i 24- vjeçarit shqiptar të lindur në Kroaci, Elvir Maloku. Ish-lojtari i Hajduk Split dhe Kombëtares U-21 të Shqipërisë po stërvitet me shkodranët prej afro dy muajsh. Madje, ai është aktivizuar edhe në miqësoren e fundit të Vllaznisë. Cilësitë e Malokut kanë bindur Brdariçin dhe ai shihet si një vlerë e shtuar.