Superiorja sheh aktualisht dy trajnerë të rrezikuar pas 21 javësh kampionat. Bëhet fjalë për Oltijon Kërnajën te Partizani dhe Enkelejd Dobin e Teutës.
Kërnaja e mori Partizanin në vendin e parafundit dhe tashmë pozicionohet i gjashti, megjithatë objektivi “Final Four” mbetet i vështirë. Kjo për shkak të katër humbjeve në pesë ndeshjet e fundit. Formë kjo që në fillimin e kampionatit solli shkarkimin e Mladen Milinkoviç. Partizani është 7 pikë larg zonës së ftohtë dhe po aq pikë larg Dinamos që mbyll “Final Four”.
Situata te Teuta është po ashtu e rënduar, ndërsa vërehet edhe me lëvizjet e shumta në dalje gjatë merkatos. Durrsakët numërojnë vetëm 1 pikë më tepër se Partizani.
Si Partizani dhe Teuta e kanë pjesëmarrjen në “Final Four“ si objektiv minimal. Plot tetë ndeshje pa fitore në kampionat kanë tronditur klubin e Teutës, që gjatë kësaj kohe numëron gjashtë barazime.


