Shqipëria i ka mbyllur Lojërat Mesdhetare në Oran me katër medalje. Dhe medalja e katërt ka ardhur nga shpatullat e Erkand Qerimajt, i cili të shtunën në peshën 73 kilogram ishte i argjendtë në stilin e shkëputjes. Edhe tre ditë pas përfundimit të garës, Qerimaj i ka të mëdha emocionet e kësaj medalje, aq më tepër që është dashur shumë mund e djersë nga shkodrani i peshëngritjes për ta marrë atë. Nga Orani për Radio Televizionin Shqiptar, Erkand Qerimaj ka treguar:
“Jam shumë i gëzuar me medaljen e argjendtë në Lojërat Mesdhetare edhe pse e kisha deklaruar që para nisjes se vija për zonën e medaljeve dhe diferenca me medaljen e arit ishte 1 kg, me 150 kg që realizova në Kampionatin Europian, ndërsa këtu realizova 149 kg”.
149 kilogram në stilin e shkëputjes, të cilën e realizoi në provën e tretë, ndërsa në dy të parat nuk pat mund të ngrejë 148 kilogram. Por kjo provë e tretë përpak sa nuk është djegur, sepse një nga tre gjyqtarët e cilësoi të rregullt, kurse dy të tjerët jo. Dhe pas protestave u konfirmua e tillë. Për të gjitha problemet e kësaj gare, Qerimaj do të pohonte.
“Pati një problem me gjyqtarinë. Në momentin që realizova 149 kg, ata e konsideruan faull. Protestat nga i gjithë stafi, të ciulët unë i falenderoj, ndikoi që të tregonte se nuk kishte asnjë faull. Kishim një eksperiencë me boksierët, Alban Beqiri dhe Nelson Hysa ku kishin patur problem me gjyqtarinë dhe normal që i gjithë stafi reagoi, sepse ishte e padrejtë të konsiderohej faull. Normalisht që jam shumë i gëzuar që arrita të ngre flamurin shqiptar”.
Aktiviteti i radhës do të jetë Kampionati Botëror në Kolumbi, që është si një provë e parë për të arritur kualifikimin për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. Ndaj dhe që nga ky moment nis fokusimi i Erkand Qerimajt për këtë garë, ndërsa një muaj më parë ishte dhe Kampion Europe po në stilin e shkëputjes./rtsh/