Como vazhdon të rritet me hapa të shpejtë në futbollin italian dhe atë europian, ndërsa presidenti i klubit, Mirwan Suwarso, ka zbuluar filozofinë që synojnë të ndjekin në vitet e ardhshme.
Në një intervistë për “TNT Sports”, drejtuesi indonezian bëri të qartë se Como dëshiron të ndërtojë një identitet loje të ngjashëm me atë të Barcelonës, ndërsa në merkato synon të marrë shembull nga Brightoni dhe Brentfordi.
“Sa i përket ADN-së së futbollit, ne duam të bëhemi si Barcelona. Duam të kemi fokusin te mbajtja e topit, presioni i lartë dhe posedimi, pra një futboll atraktiv”, deklaroi Suwarso.
Ai theksoi se klubi synon të zbulojë futbollistë të nënvlerësuar, të cilët mund të zhvillohen dhe të përshtaten me filozofinë e skuadrës. Projekti i Comos mori një tjetër hov pas ardhjes së familjes Hartono, e cila e bleu klubin në Serie D shtatë vite më parë. Një rol të rëndësishëm në këtë ngritje ka edhe Cesc Fabregas, i cili iu bashkua skuadrës si futbollist në vitin 2022 dhe tashmë e drejton nga pankina.
Como po përjeton një sezon mbresëlënës, duke u renditur në vendin e katërt në Serie A me 23 pikë. Fitorja ndaj Interit në “San Siro” mund t’i japë mundësinë të kalojë zikaltërit në klasifikim. Suwarso beson gjithashtu se futbolli italian ka potencialin për të ngushtuar diferencën me Premier League.
Sipas tij, Serie A po bëhet gjithnjë e më sulmuese, me shumë talente të rinj që po i japin një tjetër ritëm kampionatit. Një tjetër detaj interesant është se Como ka filluar të ofrojë ekspertizën e tij edhe për klubet e tjera, duke bashkëpunuar aktualisht me 27 skuadra.
“Ideve që funksionojnë tashmë po fillojmë t’ua ofrojmë klubeve të tjera si shërbime ose produkte, sepse të ardhurat nga një klub i vetëm janë të kufizuara”, shpjegoi presidenti.
Kështu, Como po synon të ndërtojë jo vetëm një skuadër konkurruese, por edhe një model biznesi që mund ta kthejë klubin në një nga projektet më interesante të futbollit europian.


