FAQJA E PARE KRYESOREPERSONAZH/ Injac Lacuku, një jetë në shërbim të sportit shkodran

PERSONAZH/ Injac Lacuku, një jetë në shërbim të sportit shkodran

Shkruar nga Gjergj KOLA

Në historinë e sportit shkodran ka shumë emra që meritojnë të kujtohen. Disa kanë shkruar historinë në fushat e lojës, duke fituar tituj e trofe, ndërsa të tjerë kanë punuar në prapaskenë, duke zbuluar talente, formuar sportistë dhe kontribuar në organizimin e jetës sportive të qytetit.

Një prej këtyre figurave është padyshim Injac Lacuku, i njohur nga shkodranët edhe si profesor Njaci, një njeri që ia kushtoi një pjesë të madhe të jetës sportit, arsimit dhe edukimit të brezave të rinj.

SPORTIST, MËSUES, TRAJNER DHE DREJTUES

Ka lindur në Shkodër më 22 korrik 1933. Jeta e Injac Lacukut do të ishte e lidhur ngushtë me sportin dhe veçanërisht me Klubin Vllaznia. Ai vetë ka qenë sportist i këtij klubi në atletikë, ndërsa më vonë do të angazhohej për shumë dekada si mësues, trajner dhe profesor sporti në qytetin dhe fshatrat e Shkodrës. Për disa vite ka qenë mësues në shkollën “Xheladin Fishta” duke kontribuar në nxjerrjen e disa nxënësve të talentuar që më pas do të bëheshin futbollistë të njohur të Vllaznisë, por edhe të kombëtares shqiptare.

Përveç punës në arsim, ai mbajti edhe detyra drejtuese në sektorin e sportit në nivel rrethi, duke qenë një prej kuadrove që merreshin me organizimin dhe zhvillimin e aktiviteteve sportive. Por ajo që e dallonte veçanërisht ishte përkushtimi ndaj punës dhe mënyra se si e konsideronte detyrën e tij. Në fjalën përkujtimore të mbajtur në ceremoninë e përcjelljes së tij në Çikago, në shkurt 2014, ish-kryetari i Komitetit të Kulturës Fizike dhe Sporteve të Rrethit të Shkodrës, Bahri Asllani, e përshkruante Injac Lacukun si një njeri të palodhur, të gatshëm për të qenë aty ku puna ishte më e vështirë.

NJË EPISOD QË NDIHMOI NË FORMIMIN E NJË FUTBOLLISTI TË VLLAZNISË

Një prej kujtimeve më domethënëse për rolin e Injac Lacukut në zbulimin dhe mbështetjen e talenteve sportive vjen nga futbollisti Çesk Ndoja, pjesëtar i brezit të artë të Vllaznisë së viteve ’70.

Në një intervistë të dhënë për Gazeta “Shkodra Sport” më 11 shkurt 2023, Ndoja kujton se si në fillimet e tij me futbollin familja nuk dëshironte ta lejonte të merrte pjesë në Spartakiadën e Pionierëve në Durrës.

Ekipi ishte nisur, por Çesku kishte mbetur në Shkodër për shkak të kundërshtimit të nënës. Ishte pikërisht Injac Lacuku ai që ndërhyri në këtë moment. Ai shkoi në shtëpinë e familjes Ndoja, duke marrë me vete edhe disa shokë të lagjes, të cilët ndihmuan për ta bindur nënën që ta lejonte djalin të merrte pjesë në aktivitet.

Njaci kishte marrë me vete edhe një top futbolli si dhuratë. Në fund, familja u bind dhe Çesku u nis urgjentisht drejt Durrësit, ku përveç futbollit mori pjesë edhe në volejboll.

EDHE NJË HERË TJETËR, NJACI NË DERËN E FAMILJES NDOJA

Por ndihma e Injac Lacukut për Çesk Ndojën nuk përfundoi me atë episod. Në vitin 1967, pas përfundimit të shkollës së mesme në Tiranë, Ndoja ishte kthyer në Shkodër dhe ishte emëruar për të punuar në Pukë. Futbolli në atë moment nuk ishte më në planet e tij të afërta.

Por talenti i tij nuk ishte harruar. Sabah Bizi, me të cilin kishte luajtur më parë në Spartakiadat e Pionierëve, kishte folur për të me drejtuesit e Vllaznisë, duke u kërkuar që ta afronin pranë ekipit të parë.

Trajneri i atëhershëm Xhevdet Shaqiri kishte shprehur interesimin për ta pasur në skuadër dhe përsëri ishte Injac Lacuku ai që mori përsipër të shkonte në familjen e tij. Këtë herë mesazhi ishte i qartë: Çesku duhej të paraqitej të nesërmen në stadium për të nisur stërvitjen me ekipin e parë të Vllaznisë.

Kështu, një djalë i ri që rrezikonte të largohej nga futbolli, u rikthye në rrugën e tij sportive dhe më vonë do të bëhej pjesë e një prej skuadrave më të suksesshme në historinë e futbollit shkodran.

Janë këto episode që tregojnë se Injac Lacuku nuk ishte thjesht një drejtues sportiv që ushtronte një detyrë administrative. Ai ishte edhe një njeri që interesohej për talentet, i ndiqte ata dhe përpiqej t’u krijonte mundësinë për të ecur përpara në rrugën e sportit.

NJË THESAR I VËRTETË PËR HISTORINË E SPORTIT SHKODRAN

Një tjetër aspekt që meriton vëmendje të veçantë është puna e tij në dokumentimin e historisë së sportit. Në fjalën përkujtimore të Bahri Asllanit theksohet posaçërisht se Injac Lacuku ishte një njeri jashtëzakonisht korrekt, sistematik dhe i kujdesshëm në ruajtjen e dokumentacionit sportiv ndër vite.

Ai kishte krijuar një fototekë shumë të pasur, kishte mbajtur shënime dhe ditarë të dokumentuar me kujdes, të cilët përbëjnë një pasuri të rëndësishme për njohjen e historisë sportive të Shkodrës.

Kjo është ndoshta një prej trashëgimive më të çmuara që ka lënë pas. Sepse historia e sportit nuk përbëhet vetëm nga rezultatet, titujt dhe emrat e kampionëve, por edhe nga dokumentet, fotografitë dhe kujtimet që ndihmojnë brezat e ardhshëm të njohin atë që është ndërtuar ndër vite.

LAMTUMIRË NË ÇIKAGO, POR KUJTIMI MBETET NË SHKODËR

Injac Lacuku ndërroi jetë në shkurt të vitit 2014, në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në moshën 82-vjeçare. Në ceremoninë mortore, Bahri Asllani, ish-kryetar i Komitetit të Kulturës Fizike dhe Sporteve të Rrethit të Shkodrës, mbajti një fjalë prekëse, duke vlerësuar jo vetëm kontributin e tij profesional, por edhe cilësitë njerëzore.

Ai kujtonte se Njaci ishte një njeri fjalëmbël, gjithmonë buzëgaz, frymëzues dhe mobilizues për të tjerët. Një njeri që nuk e njihte fjalën ‘Jo’ kur bëhej fjalë për të ndihmuar.

Edhe familja e tij kishte një lidhje të veçantë me sportin. Bashkëshortja Age dhe dy djemtë, Landi dhe Toni, e mbështetën gjatë gjithë angazhimit të tij. Toni ishte gjithashtu basketbollist i Vllaznisë.

Sot, kur flasim për historinë e sportit shkodran, nuk duhet të kujtojmë vetëm ata që kanë ngritur trofe dhe kanë marrë duartrokitjet e publikut. Duhet të kujtojmë edhe njerëzit që kanë punuar për dekada me radhë për ta bërë të mundur atë histori.

Injac Lacuku ishte një prej tyre. Një sportist i dikurshëm i Vllaznisë, një mësues dhe trajner i përkushtuar, një drejtues sportiv dhe mbi të gjitha një njeri që la gjurmë në jetën e shumë brezave.

Emri i profesor Njacit meriton të mbetet pjesë e kujtesës historike të sportit shkodran.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments