Veleçiku ka marrë një fitore me shumë vlerë në ndeshjen ndaj “Eagle Football” e vlefshme për javën e shtatë të kampionatit të kategorisë së dytë. Ajo është luajtur pasditen e sotme në kompleksin “Internacional” në Tiranëë dhe është mbyllur me avantazhin e ngushtë 1-0 në favor të koplikasve.
Ndeshja është shoqëruar edhe me momente tensioni duke sjellë edhe tre kartona të kuq në minutat e fundit të saj. Fillimisht është larguar nga fusha futbollisti i Eagle, Gabriel dhe më pas drejtori teknik i Veleçikut Nuri Rexhaj si dhe futbollisti koplikas Mateos Uldedaj.
Megjithatë i rëndësishëm ka qenë goli i shënuar në minutën e 84-të nga futbollisti Solomon Aliu dhe ai ka mjaftuar që Veleçiku të largohet nga kryeqyteti me një trepikësh me shumë vlerë.
Falë fitores së sotme tashmë koplikasit janë ngjitur në kuotën e 6 pikëve duke iu shkëputur disi fundit të renditjes, fund që aktualisht mbahet nga Eagle dhe Shiroka me 3 pikë secila.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


