Wednesday, July 22, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREVllaznia me 'kokën poshtë', Europa nuk jep shpresa për të ardhmen

Vllaznia me ‘kokën poshtë’, Europa nuk jep shpresa për të ardhmen

Shkruar nga Maringlen ZHIVANI

Eliminimi i rëndë nga Malisheva në turin e parë të Conference League ishte një goditje e fortë për Vllazninë. Humbja 5-0 në ndeshjen e kthimit zbehu plotësisht fitoren 2-1 të arritur në “Loro Boriçi” dhe i dha fund në mënyrën më zhgënjyese aventurës europiane të kuqebluve. Megjithatë, përtej rezultatit, ky eliminim duhet të shërbejë si një moment reflektimi për klubin, stafin teknik dhe futbollistët.

Vllaznia hyri në Europë me shumë vështirësi, mes ndryshimeve në organikë dhe problemeve me ndërtimin e skuadrës. Në ndeshjen e parë ekipi tregoi karakter dhe arriti përmbysjen ndaj Malishevës, por në kthim u shfaq pa identitet, pa reagim dhe me shumë pasiguri në çdo repart. Diferenca mes dy ndeshjeve tregon se skuadra ka ende nevojë për stabilitet dhe vazhdimësi në lojë. Europa nxori në pah mangësitë që ishin vënë re edhe më herët.

Mungesa e alternativave cilësore në disa pozicione, problemet në ndërtimin e lojës dhe gabimet individuale u paguan shtrenjtë. Vllaznia ka nevojë për përforcime të tjera, por edhe për një grup që të funksionojë si një i vetëm në momentet më të vështira. Reparti mbrojtës dhe menaxhimi i ndeshjeve janë dy aspektet ku duhet ndërhyrë menjëherë. Një skuadër që synon të luftojë për trofe nuk mund të pësojë një rënie kaq të madhe brenda një jave.

Edhe ana psikologjike do të jetë vendimtare, sepse futbollistët duhet të lënë pas këtë eliminim dhe të rikthejnë besimin. Poashtu, drejtuesit kuqeblu pritet të lëvizin edhe në merkato. Ekipi ka nevojë për futbollistë që rrisin konkurrencën dhe sjellin cilësi, veçanërisht në repartin ofensiv dhe në mbrojtje. Vetëm me një organikë më të plotë Vllaznia mund të pretendojë të rikthehet në nivelin që kërkojnë tifozët. Tashmë fokusi kalon te kampionati.

Vllaznia duhet të tregojë se eliminimi europian ishte vetëm një aksident dhe jo tregues i potencialit real të skuadrës. Klubi ka detyrimin të reagojë, të rikthejë besimin te tifozët dhe të ndërtojë një sezon ku të luftojë për objektivat madhorë. Humbja ndaj Malishevës duhet të mbetet një mësim i hidhur, jo një plagë që shoqëron gjithë sezonin.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments