Patjetër për të fituar një ndeshje futbolli duhet që të shënosh. Ekipet më të mira nē botë kanë edhe sulmuesit më të mirë. Por edhe në kampionatin tonë nuk mungojnë elementët e mirë në pjesën sulmuese.
Kështu po të hedhim një sy të sulmuesve, apo dysheve më të mira deri më tani në kampionat, do gjejmë Laçin në vendin e parë.
Kurbinasit kanë dyshen sulmuese më produktive të Superligës. Saliou Guindo dhe Dejan Zarubica kanë marrë mbi “shpinë” fatet e bardhezinjve. Sulmuesi nga Mali me 8 gola dhe po ashtu Zarubica me 6, bëjnë që kjo “duo” të ketë shënuar më shumë se kushdo me 14 rrjetat e tyre.
Pas ekipit të Josës për këtë renditje speciale janë dyshja e Tiranës. Taulant Seferi me 8 rrjeta dhe Redon Xhixha me 5 e dërgojnë në 13 numrin e golave të shënuar nga ana e dyshes bardheblu. Kukësu mund të krenohet me Basa që ka tundur rrjetën 7 herë dhe Feijao me 5 gola, prej një numri total të 12 golave nga verilindorët.
Vllaznia është vetëm e katërta në këtë klasifikim. Ante Aralica dhe Liridon Latifi kanë shënuar secili nga 5 gola këtë edicion. Me numrin total të 10 golave e ka mbyllur dyshja kuqeblu këtë vit. Patjetër që sytë e të gjithëve do jenë te këta lojtarë me rikthimin e kampionatit në janar, ku do shihet nëse do i pasurojnë apo jo shifrat e tyre.
Endri ÇINARI


