Nga Endri ÇINARI

Ildi Gruda ishte vendimtar me golin e tij ndaj Kukësit në fitoren që Vllaznia arriti. Kjo pasi gjithçka u mbyll në shifrat 1-0 falë një goli të shënuar nga 24-vjeçari që në minutën e parë të ndeshjes. Ky ishte edhe goli i gjashtë i sulmuesit këtë sezon, që në periudhën e fundit është më i spikaturi tek Vllaznia.

Me formën e treguar, Gruda e ka udhëhequr skuadrën drejt fitoreve të rëndësishme. Ku po ashtu ka pasuruar shumë edhe statistikat e tij personale. Në kuotën e 6 golave tashmë së bashku edhe me Balajn, ata bëjnë dyshen më të mirë të kampionatit. Balaj nga ana e tij e ka gjetur 11 herë golin këtë sezon, duke qenë edhe golashënuesi më i mirë në kampionat.

Të dy sulmuesit e Vllaznisë së bashku kanë shënuar 17 gola, duke bërë kështu dyshen më të mirë në kampionat. E ndoshta duke mos pasur konkurrencë përsa i përket golave. Kjo pasi nëse i krahasojmë me dyshet e tjera të ekipeve të Superligës, shkodranët kanë diferenca.

Duke nisur që nga Tirana, ku Hasani tashmë i larguar ishte në kuotën e 10 golave e ndërsa pas tij Latifi me 4 gola. Tek Egnatia janë larguar po ashtu dyshja që ka luajtur në sulm së bashku, Isgandarli me 6 gola dhe Paulaskas me 4 gola.

Tek Partizani janë dyshja Binstouka me 7 gola dhe Cara me 3 gola. E ndërsa Erzeni ka dyshen Kahrimanovic dhe Mihana, secili me nga 5 gola në llogari. E pra shihet qartë diferenca e dy sulmueseve të Vllaznisë, që po shënojnë nga java në javë duke e dërguar ekipin drejt fitoreve./SHKODRA-SPORT.COM/