Elseid Hysaj ka lënë pas dëmtimin e pësuar një muaj më parë dhe sot është grumbulluar për ndeshjen kundër Romës. Mbrojtësi shkodran ka kërkuar minuta kundër verdhekuqve në mënyrë që të japë një sinjal duke qenë se kryeqytetasit janë pretendentët kryesor për të blerë shërbimet e tij në merkaton e janarit.

Megjithatë, gjithçka është vështirësuar dhe shkak për këtë është bërë dëmtimi që ka pësuar mbrojtësi Kevin Malkuit. Francezi do të mungojë për disa muaj te napolitanët dhe mesa duket, drejtuesit nuk kanë në plan të hyjnë në merkato për të gjetur një pasues duke qenë se e kanë në skuadër.

Diçka të tillë, e ka pranuar drejtori sportiv i Napolit, Kristiano Xhuntoli i cili foli në lidhje me dëmtimin e mbrojtësit francez.

“Malkuit? Nuk do të bëjmë blerje në merkato. Fatmirësisht kemi shumë futbollistë që mund ta bëjnë atë rol dhe më vjen keq për të sepse duhet ta nisë nga fillimi, por ai rol është i mbuluar.

Nuk do të ketë lëvizje”, u shpreh Xhuntoli duke dhënë një sinjal se në krahun e djathtë të mbrojtjes, nuk do të ketë as afrime dhe as largime. /VipSport/