Ditën e sotme është zhvilluar aktiviteti i rradhës nga Federata Shqiptare e Çiklizmit, pikërisht “Kupa e Çlirimit”, zhvilluar me rastin e festës së Çlirimit të kryeqytetit tonë. Edhe kjo garë është dominuar nga çiklistët e Vllaznisë teksa në fund fitues është shpallur Astrit Kronaj. Gara ka patur karakter malor. Ka nisur në Tiranë, ka vazhduar deri në Elbasan dhe ka marrë në maloren e Qafë- Krrabës, pikërisht në Gracen.

Vllaznia ishte planifikuar të merrte pjesë me 6 sportistë në këtë garë por dy prej tyre kanë qenë të pafat. Sion Gjoka para garës ka ndjerë shqetësime dhe nuk ka mundur dot të hyjë në garë ndërkohë që më problematika ka qenë situata për Kledison Canin. Në dalje të tunelit, ai është penguar në një gur që kishte dalë në rrugë dhe është rrëzuar. Prej këtij rrëzimi ka pësuar dëmtime të ndryshme dhe ambulanca e ka dërguar menjëherë në spitalin e Elbasanit ku ka qëndruar për disa orë duke marrë mjekimin e duhur. Përveç plagëve të ndryshme, Cani ka dëmtuar edhe klavikulën. Stafi i ekipit të Vllaznisë por edhe përfaqësues të Federatës kanë qenë vazhdimisht pranë tij tek spitali dhe pas disa orësh qëndrimi, edhe ky çiklist është nisur drejt Shkodrës bashkë me shokët e tjerë të ekipit por i duhet që për një periudhë jo të vogël të qëndrojë pushim. Sa i takon garës, Astrit Kronaj ka bërë një pedalim perfekt duke dominuar mbi të gjithë konkurrentët e tjerë dhe i shkëputur ka mbërritur i pari në finish. Pas tij kanë mbërritur dy çiklistët e Teutës Arjan Aliaj dhe Ridvan Tafili. Kësisoj edhe kjo garë fitohet nga çiklistët e Vllaznisë dhe nga ana tjetër, i urojmë shërim të shpejtë edhe çiklistit Kledison Cani që u rrëzua sot.

© shkodrasport.com