Situata jo e mirë që po kalon Vllaznia, ka bërë që shumë prej tifozëve ta braktisin atë. Mungesa e tyre është e pranishme jo vetëm në shkallët e stadiumit por edhe në fushën e stërvitjes. Por ka edhe nga ata që vazhdojnë t’i qëndrojnë pranë kuqebluve. Tre prej tyre nuk heqin dorë nga ky “ritual” edhe tani. Bëhet fjalë për tre prej tifozëve më të zjarrtë të saj, për kryetifozin Tutin, për Xhevat Gjatojen dhe për Gëzim Çoçjen.

Ata të tre kanë qenë të pranishëm edhe pasditen e sotme në fushën e kompleksit “Hasaj” në Golem për të ndjekur stërvitjen e ekipit të Vllaznisë. Themi sot sepse ka qenë në fakt një ditë e veçantë për njërin prej tyre. Gëzimi ka festuar 60 vjetorin e lindjes dhe në vend që ai të ishte me familjen e tij për të gëzuar, ka preferuar të jetë pranë skuadrës së zemrës bashkë me dy kolegët e tij. Po ashtu edhe tifozi tjetër i zjarrtë- Mondi. Këta janë tifozë që asnjëherë nuk heqin dorë nga mbështetja e Vllaznisë. Madje, kanë premtuar se do të jenë edhe të dielën në Durrës për ta ndjekur atë në ndeshjen ndaj Teutës. Skuadra ka nevojë për tifozë të tillë por jo vetëm për këta katër. Ka nevojë edhe për të tjerë si to.
© shkodrasport.com