Ndeshja Teuta- Vllaznia që do të luhet ditën e dielë në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, konsiderohet shumë e rëndësishme për kuqeblutë. Ata ndodhen aktualisht në vendin e parafundit në renditje dhe padiskutim që u kërkohet të marrin pikë në këtë ballafaqim se ndryshe nuk mund të largohen nga ky pozicion. Ky kampionat po tregon se edhe skuadra që mendohej të ishin në gjysmën e dytë të tabelës së renditjes po arrijnë rezultate pozitive e këtu bëhet fjalë për ekipe si Kamza e Laçi.

Një situatë e tillë e bën të domosdoshme ndryshimin e gjendjes në renditje të ekipit shkodran. Për këtë arsye, stafi teknik po kërkon që ndryshimi të vijë që në takimin e së dielës. Për këtë ndeshje, trajner Gjoka nuk do të ketë të gatshëm vetëm mesfushorin Ardit Krymi. Ai ka pësuar një tërheqje muskulare në grumbullimin me kombëtaren Shpresa dhe nuk është i gatshëm për të luajtur ndaj Teutës. Sigurisht që është një mungesë e rëndësishme sepse lojtari në fjalë ka krijuar profilin e tij në pozicionin e mesfushorit shkatërrues megjithatë në vend të tij pritet të luajë Bardulla. Edhe ky ka pasë një problem dëmtimi por duket se e ka kaluar dhe do të jetë i gatshëm për lojë.  Po ashtu një tjetër risi pritet të jetë edhe grumbullimi në 18-she i Arsen Hajdarit, edhe ky lojtar i ardhur nga ekipi B. Pavarësisht këtyre lëvizjeve, të rëndësishme mbeten vetëm pikët dhe shpresat janë të mëdha për t’ i marrë në Durrës, pse jo edhe maksimumin e tyre, tre pikët e fitores.
© shkodrasport.com