Boksieri i momentit në Shkodër dhe Shqipëri padyshim që është ai, Arjon Kajoshi. Kampion i vendit, fitues i medaljeve të arta në arenën ndërkombëtare, talent dhe klas në boksim. Këto janë anët e tij sportive të cilat tashmë janë të njohura për të gjithë boksdashësit. Por këtë herë ai flet për gazetën “SHKODRA SPORT” mbi pasionin e tij dhe për shumë gjëra të tjera të këndshme për të cilat nuk ka folur asnjëherë.

Përshëndetje Arjon!Për intervistën tonë të rrallës ishe ti i përzgjedhuri nga fusha e sportit të boksit.Ju falenderoj që jeni pjesë e jona.
Faleminderit ty,që më zgjodhe mua për këtë intervistë.

Në një sport kaq te veçantë si boksi, cfarë qe ajo gjë ,shtysë që të lidhi ty me të?
Me thënë të drejtën shtysa ime për të vazhduar boksin ka qenë babai im dhe unë e kam pasur me qef dhe me kalimin e kohës e forcova më shumë këtë pasion.

Si është të jesh pjesë e këtij sporti? Çfarë duhet të tregosh në ring?
Guxim.Sporti ynë do shumë guxim dhe këmbëngulje pasi është një sport i rëndë me thënë të drejtën.

Si e gjete veten ne boks, a ishte ky i vetmi sport i preferuar?
Në përgjithësi jam tip sportiv,më pëlqen secili sport,por sigurisht pas boksit.Veçanërisht më shumë jam tek futbolli te cilin e ndjek.

Sa e vështirë ishte për familjen tënde pranimi i këtij sporti? Na trego pak për emocionet e tyre…
Familja më ka mbështetur gjithmonë në zgjedhjen time,pasi edhe ato kanë qenë shtysë për mua.Në fillim e kanë pasur të vështirë nuk ishin të mësuat,por në vazhdim nuk ishte më një problem.Emocione kishin dhe do të kenë gjithmonë.

Po sa e vështirë është të jesh në ring? Besoj është një nga përballjet më të frikshme.Më trego pak për reagimet…
Në shumicën e rasteve më shumë emocione e frikë ka familja e njerëzit që më duan se unë jam mësuar dhe eksperienca me ndeshje ndërkombëtare më bën të ndjehem më i qetë.

Jam shumë kurioze të di për tipin e një boksieri.Sa ndryshim ka ai brenda e jashtë ringu?
Jam tip shumë i qetë dhe i qeshur jashtë ringut,në shumicën e rasteve në jetën e përditshme jam këmbëngulës për gjërat që dua dhe nuk heq dorë kollaj.

Por në qoftë se unë të propozoj që  ta zgjedhësh vetë personin që do ndeshesh, por me një kusht, që ajo të jetë femër, cilin emër do thoje?
Të përballesh me femër në ring? Asnjë.Boksi është për meshkuj. Është mëkat të gjuash një femër.

 

8.Përgjigje e bukur.Një djalë kaq i edukuar dhe i qetë si ndjehet kur kalon në rrugë dhe njerëzit të ndalojnë qoftë për urime apo foto?
Normalisht që mirë.Kur ke njerëz që të duan dhe të përkrahin, ndihesh me fat.

Cila është ajo gjë tjetër që di ta bësh po kaq mirë e po kaq me pasion sa boksi?
Boksi është pasion  i pandashëm,por atë që të tjerët nuk dinë është edhe kalërimi.Aty kaloj shumë bukur pasi është edhe trashëgimi e familjes sonë.

Me këtë pasion e këmbëngulje ku do ta shohim Kajoshin në vijim?
Ndeshjet që jam i fokusuar për momentin janë evropiani U22 që është vitin tjetër në mars,për momentin atje janë synimet e mia .

Të falenderoj Arjon.Shumë suksese.
Faleminderit ty Pamela.Ishte kënaqesi.

Intervistoi: Pamela RROKU