Nëse ka klub në Shqipëri që i kushton rëndësi të kaluarës, historisë, padyshim që numri 1 është Vllaznia. Drejtuesit e saj i kanë prioritet nderimit të figurave që e kanë lartësuar emrin e Vllaznisë në vite dhe kështu kanë vepruar së fundi edhe me nderimin e një tjetër personazhi të njohur.
Këtë herë bëhet fjalë për Xhevdet Basha, ish- mbrojtësin e Vllaznisë së viteve ’50- ’60. Ai prej vitesh jeton në Gjermani, por sa herë që vjen në Shkodër, këmbët e drejtojnë për tek stadiumi ndonëse pas pak kohësh ai mbush 87 vjeç, por gëzon një shëndet shumë të mirë.
Përpara ndeshjes të së shtunës me Partizanin, në pistën e stadiumit “Loro Boriçi” u zhvillua një ceremoni e thjeshtë por shumë kuptimplote ku drejtori sportiv i KF Vllaznia Vioresin Sinani dhe mjeku sportiv Zyhdi Çoba i kanë dhuruar Xhodës fanellën kuqeblu me numrin 2 dhe një tufë me lule.
Më shumë sesa kaq, ish- mbrojtësi i Vllaznisë por edhe i Partizanit me të cilin ka luajtur një sezon, ka marrë edhe duatrokitjet e shumta të publikut shkodran dhe kjo e ka bërë atë të ndihet jashtëzakonisht mirë.
Kujtojmë që Xhevdeti është pjestari më i madh i familjes Basha e cila i ka dhuruar Vllaznisë plot 4 futbollistë dhe të gjithë mbrojtës. Me fanellën kuqeblu kanë luajtur edhe dy vëllezërit e tij Zyhdia e Lutfia si dhe i biri, Çlirimi i cili ka qenë edhe pjesë e kombëtares shqiptare.
Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”



