Ditën e shtunë do të luhen ndeshjet e javës së gjashtë të kampionatit kombëtar të futbollit të femrave. Kalendari i kësaj jave ka dhuruar derbin shkodran, atë në mes ekipit të Akademisë Ajaks dhe Vllaznisë kampione në fuqi. Takimi do të luhet në orën 10.00 në fushën sportive të Golemit dhe padyshim që pritet të jetë interesant. Kuptohet se favorit për fitoren është ekipi i Vllaznisë i cili vazhdon të mbetet më i miri në Shqipëri edhe këtë sezon duke mos njohur asnjë rezultat tjetër veç fitoreve në çdo ndeshje.

Gjithsesi, ekipi i Akademisë Ajaks nën drejtimin e trajnerit Arben Parmeza do të mundohet të rivalizojë ashtu siç ka bërë edhe sezonin e kaluar ndonëse ecuria e këtij ekipi sivjet nuk ka qenë ajo më e mira. Përveç sfidës në mes këtyre dy ekipeve, po nesër në Shkodër luhet edhe një ndeshje tjetër e kampionatit të femrave, ajo në mes Juban Danjes dhe Pogradecit. Pritet një fitore e vajzave të Juban Danjes të cilat në rast fitoreje do të vazhdojnë të mbajnë vendin e tretë në renditje edhe pas kësaj jave. Ndërkohë pas përfundimit të ndeshjeve të javës së gjashtë, kampionati do të ndërpritet. Arsyeja është se nga dita e hënë do të nisë në Shkodër grumbullimi i ekipit kombëtar. Grumbullim që do të bëhet për shkak të ndeshjes eliminatore që kombëtarja jonë do të zhvillojë ndaj Polonisë më 24 tetor. Ky takim është caktuar të luhet në orën 17.00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Natyrisht që baza e ekipit kombëtar do të jetë sërish nga ekipi i Vllaznisë i cili vazhdon të dominojë mbi të gjithë ekipet e tjera të kampionatit shqiptar dhe madje ajo ka bindur përveçse në kampionat edhe me paraqitjet e tij në Ligën e Kampioneve.

© shkodrasport.com