Prej kohësh në media flitet për pakënaqësi të trajnerit Armando Cungu në lidhje me situatën tek Vllaznia, madje diskutohet edhe për një largim të mundshëm të tij para fillimit të kampionatit. Vetë ai e ka lënë të hapur një gjë të tillë nëse gjërat nuk ndryshojnë për mirë. Por ajo që “i ka mbyllur derën” trajnerit për largim ka qenë presidentja e ekipit, kryebashkiakja Voltana Ademi.

Në një komunikim me mediat pikërisht për këtë temë, ajo është përgjigjur: “Unë nuk e di pse diskutohet një çështje e tillë. Trajneri është në punë, ka një kontratë me Vllazninë dhe po e zbaton atë. Cungu është shumë i përkushtuar në punën që bën dhe do ta çojë deri në fund projektin e nisur”. Deklarata kjo gjë dhe mbështetja duket maksimale por trajneri aktual i kuqebluve herëpashere e ka vënë në dyshim vazhdimësinë. Dy javët e ardhshme do të jenë shumë të rëndësishme për të ardhmen e tij. Nëse nuk vijnë lojtarët e duhur, edhe mund të largohet.

© shkodrasport.com