Një lajm i bujshëm mbërrin nga përtej Adriatikut, ku kanë mësuar se Berat Gjimshiti kërkohet nga dy prej klubeve më të njohura në kontinent.
Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare është kthyer brenda dy sezonesh në një emër të padiskutueshëm te Atalanta dhe tashmë ka tërhequr interesin e klubeve më të njohura, ndonëse me zikaltërit po provon kënaqësinë e Ligës së Kampioneve.
Sipas TMW, në axhendën e Milanit që kërkon të përforcohet për sezonin e ri ka përfunduar edhe emri i mbrojtësit të përfaqësueses shqiptare, i cili pëlqehet nga Pioli dhe drejtuesit.
Italianët insistojnë se përfaqësuesit e lojtarit janë kontaktuar nga kuqezinjtë për të mësuar për dëshirën e tij për të ndryshuar ambient e sidomos kushtet në të cilat Atalanta është e gatshme ta lërë të largohet.
Por nuk është vetëm Milani. Sipas të njëjtave burime, për lojtarin ka shfaqur interes së fundmi edhe Ajaksi, i cili po kërkon një alternative aftagjatë për Dalei Blind, i cili vazhdon të shfaqë probleme shëndetësore.
Tashmë mbetet të shihet se çfarë do të zgjedhë të bëjë mbrojtësi e sidomos Atalanta, ai është bërë një element i pazëvendësueshëm dhe është grumbulluar rregullisht edhe këtë javë për ndeshjen kundër Lacios. /vipsport.