Kemi shkruar edhe më përpara për traditat familjare në sportin shkodran. Shembujt kanë qenë të shumtë, por sot do të ndalemi tek një rast tjetër që po ua paraqesim më poshtë.

Kemi të bëjmë me gjyshin kampion dhe rekordmen si dhe nipin e tij që pretendon të bëhet i tillë, por në një sport tjetër. Bëhet fjalë për Hysni dhe Klevis Bebeziqin.

Për të parin nuk është e nevojshme të flasim shumë sepse e ka njohur e gjithë Shkodra dhe Shqipëria. Në garat e kërcimit, ai ka qenë një kampion i padiskutueshëm e po ashtu edhe rekordmen i atletikës shqiptare.

Nipi i tij- Klevisi, ka zgjedhur një sport tjetër, atë të futbollit. E ka shumë për zemër dhe dëshiron të bëhet një kampion i madh edhe ai, ashtu si gjyshi i tij.

Megjithatë ka shumë punë për të bërë. Ai është vetëm 17 vjeç dhe sivjet ka kaluar tek ekipi i të rinjve të Vllaznisë që drejtohet nga trajneri Luan Zmijani. Luan në rolin e mesfushorit të qendrës dhe të dhënat i ka të mira.

Klevisi është pjesë e ekipeve kombëtare të moshave dhe rrugën e suksesit duket se ka hapur tashmë. Por është vetëm fillimi. Ka ende edhe shumë për të bërë. E rëndësishme është që përpos talentit të cilin e zotëron, të ketë edhe dëshirën dhe pasionin që ka patur gjyshi i tij për sportin.

Mjeshtri i Madh Hysni Bebeziqi do të kishte dashur ta shihte nipin e tij duke luajtur e duke shkëlqyer në fushën e blertë, por për fat të keq nuk ia doli. Klevisi e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë për të ndjekur rrugën e gjyshit dhe për ta gëzuar atje lart ku prehet i qetë./SHKODRA-SPORT.COM/