E ardhmja e Moise Ken mund të jetë larg Juventusit. Të paktën kështu shkruan tabloidi britanik, “Daily Mail”.

Është ekipi i Evertonit, që e pëlqen shumë sulmuesin e “Zonjës”, dhe siç raportojnë britanikët, ata janë gati të ofrojnë deri në 35 milionë euro për talentin e ri.

Klubi anglez e konsideron si një përforcim me vlerë për të ardhmen, siç bëri me Lukakun para disa sezoneve, dhe më pas e shiti tek Mançester Junajtid. 19-vjeçari, ka kontratë deri në qershor të vitit 2020 me Juventusin, por negociatat për rinovimin duket se nuk po ecin para, sepse klubi bardhezi ka dyshime për karakterin e lojtarit.

Ken e mbylli me 7 gola sezonin e fundit, në 17 ndeshje ndërmjet të gjitha kompeticioneve, dhe në rast shitje, mendohet se Juvja do të kërkojë një shumë rreth 45 milionë euro.