Ish-futbollisti i Shqipërisë në vitet 2006-2009 Besart Berisha është shpallur nga tifozët australianë si “Lojtari më i mirë i dekadës 2009-2019”.
Në një sondazh të çelur për fansat e kampionatit australian të futbollit, 34-vjeçari u rendit i pari si lojtari më i spikatur në dhjetëvjeçarin e kaluar.
Berisha korri sukses me Brisbanin, Melburnin dhe Uestern Junajtid duke realizuar 137 gola si dhe duke vendosur rekorde në futbollin australian.
Ai u aktivizua në 16 sfida me ekipin kombëtar të Shqipërisë. Në vitin 2014, Berisha refuzoi të luante sërish për Shqipërinë duke u justifikuar se distanca e largët nga Australia e bënte të pamundur aktivizimin me kombëtaren kuqezi.