Në Shkodër mezi po e presin sfidën e së mërkurës ndaj Egnatias sepse do të jetë një përballje që do të vendosë shumë gjëra sa i takon vazhdimësisë së Vllaznisë në kampionat. Por nga ana tjetër, një pjesë e tifozërisë kuqeblu mezi po e pret këtë ndeshje sepse në fakt mezi “po presin” lojtarin e rrogozhinasve Albano Aleksi.
Ky i fundit në ndeshjen e kaluar në Rrogozhinë në momentin e shënimit të golit të barazimit, vrapoi drejt tribunës ku ishin të vendosur një pjesë e tifozëve shkodranë dhe i shau dhe ofendoi ato. Një gjë e tillë konstatoheet qartë edhe nga pamjet filmike. Pikërisht për këtë arsye, tifozët e Vllaznisë po prisnin përballjen e së mërkurës “për të marrë hak”.
Por në fakt nuk do të kenë mundësinë ta bëjnë. Kjo sepse Aleksi nuk do të luajë në këtë ndeshje sepse ka plotësuar numrin katër të kartonave të verdhë dhe për këtë arsye nuk do të luajë ndaj Vllaznisë. Nuk është shumë e qartë nëse Aleksi e ka marrë me dashje apo jo të verdhën e katërt në ndeshjen e kaluar ndaj Teutës në mënyrë që të mos luante në “Loro Boriçi”, por tashmë ky është fakt.
Përpos tij, edhe mesfushori tjetër Altin Kryeziu ka plotësuar numrin katër të të verdhavee dhe nuk do të luajë ndaj kuqebluve pas dy ditësh. Po ashtu do të mungojë edhe Aliyev që ka marrë karton të kuq në sfidën e mëparshme. Vllaznia padyshim që duhet t’i shfrytëzojë këto mungesa dhe të marrë një fitore me shumë vlerë ndaj skuadrës kryesuese të kampionatit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


