Në prag të nisjes së kampionatit të ri të futsalles, Vllaznia kampione në fuqi e vendit është përballur sot me një largim ndoshta të papritur nga rradhët e saj. Bëhet fjalë për portierin Olsi Gjergji.
Ky i fundit pak minuta më parë përmes një postimi nv rrjetet e tij sociale ka bërë të ditur se ka ndarë rrugët me ekipin kuqeblu, por ka lënë të hapur mundësinë e rikthimit të tij sërish tek Vllaznia. Ja çfarë shkruan Gjergji në këtë postim:
“Po mbyll një kapitull me KF Vllaznia Futsal. Këtu përjetova momente që do t’i mbaj përjetë në zemër, dhe së bashku arritëm diçka që do të mbetet në historinë e klubit – titullin e parë kampion!
Faleminderit shumë, Arben Xhaferi, Fisnik Barbullushit dhe Alsid Tafilit që ishin gjithmonë pranë meje dhe ekipit, me mbështetje dhe energji të paçmueshme.
Kjo nuk është lamtumirë, por një “mirupafshim” për një rrugë që na bashkoi fort. Vllaznia, forca!”
Olsi Gjergji sëbashku me Fatos Beharin ishin dy portierët që kontribuan tek fitimi i titullit kampion nga Vllaznia sezonin e kaluar dhe tashmë duhet parë se kush do ta zëvendësojë tek kuqeblutë.