E kërkojnë gjysma e skuadrave në Itali, por Igli Tare nuk do të largohet nga Lacio, as në fund të këtij sezoni, e të paktën as për dy sezone të tjera. Drejtuesi sportiv shqiptar i klubit italian ka rinovuar pak ditë më parë kontratën e tij me skuadrën e ekipit kryeqytetas dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e tij.

Tare ishte kthyer prej kohësh në objektivin e shumë klubeve të njohura në Itali, me Milanin e Interin mes të tjerave që kishin shprehur interes për drejtuesin shqiptar pasi kishin parë se me një buxhet të ulët kishte bërë mrekulli duke ndërtuar një skuadër të denjë për të luftuar për katër vendet e para në klasifikim.

Por prioriteti i Tares ka qenë gjithmonë Lacio, edhe për faktin se klubi ishte ai që i besoi këtë rol në një periudhë kur vetë ish-sulmuesi nuk mendonte se ishte gati, siç e ka pranuar publikisht.

Ndaj për të, firma në kontratë ka qenë thjesht formalitet. Sipas medieve italiane, të premten është arritur dhe firmosur akordi mes palëve, që lidh Taren me Lacion deri në përfundim të sezonit 2019-2020.

Kohë e mjaftueshme për të bërë hapin e radhës me Lacion, që dëshiron të afirmohet tashmë edhe në arenën ndërkombëtare. /vipsport/