Pol Pogba nuk do të jetë zyrtarisht pjesë e Botërorit “Katar 2022”.

Këtë lajm e ka konfirmuar vetë agjentja e tij, Rafaela Pimenta, e cila thekson se francezi nuk mund të udhëtojë dot drejt Katarit me Francën, pas dëmtimit të fundit të pësuar.

“Pas vizitave mjekësore dje dhe sot në Torino e Pitsburg, me keqardhjen më të madhe ju komunikojmë se Pol Pogbasë do t’i duhet akoma dhe më shumë kohë për t’u rikuperuar pas operacionit.

Për këtë arsye, Pol nuk do të mund të bashkohet me Juventusin përpara Kupës së Botës ose me kombëtaren e Francës në Katar. Nëse do të mjaftonte vetëm dëshira për t’i ndryshuar gjërat, Poli do të ishte që nesër në fushë.

Por ato që i ndryshojnë gjërat janë puna dhe disiplina, të cilat janë të vetmet gjëra që Poli ka në mendjen në një kohë të vështirë.

Ai do të vazhdojë të punojë, që të rikthehet sa më shpejtë në fushë për fansat dhe skuadrën e tij, sa më shpejtë të jetë e mundur”, ishin fjalët e Pimentas.

Kjo është një tjetër humbej e madhe për Didier Deshamp, i cili pas Ngolo Kantesë, ka humbur dhe një tjetër pikë kyçe të mesfushës së skuadrës së tij.