Situata e Ermir Lenjanit ka ndryshuar shpejt brenda pak ditësh. Deri një javë më parë, futbollisti i përfaqësueses shqiptare ishte i përjashtuar nga klubi i tij dhe mes katër rrugëve në pritje të një gjyqi të gjatë në FIFA. Sot, Lenjani e sheh përsëri veten si pjesë të Sionit, e në mënyrë të çuditshme, edhe pranë firmës për rinovimin e kontratës.
Lenjani ishte mes 9 lojtarëve që u përjashtuan nga Kristian Konstantin, presidenti i SIonit, pasi refuzuan që të kalonin në asistencë shtetërore gjatë përiudhës së ndalesës për shkak të koronavirusit.
Pas disa ditësh ku ata kërcënuan se do të shkonin në FIFA për këtë trajtim që u ishte bërë, pak nga pak ndryshuan mendje dhe 4 prej tyre kanë pranuar ofertën e klubit. Ka qenë vetë Konstantin i cili zbuloi se përveç kësaj kërkese, Ermir Lenjani ishte kthyer me idenë që të rinovonte marrëveshjen me këtë skuadër ku është titullar i paprekshëm dhe një ndër lojtarët më të mirë.
“Unë kisha një strategji, ose ata thoshin “po” dhe tregonin përkushtimin ndaj klubit, ose thoshin “jo”. Unë ndava grupin e lojtarëve me sjelljen time, tani të gjithë, përveç 5 lojtarëve, pranuan propozimin për asistencë shtetërore. I fundit, Ermir Lenjani, i cili edhe do që të zgjatë bashkëpunimin me klubin”, tha Konstatin.
Lenjani nënshkroi tre vite më parë me Sionin dhe pas shumë peripecish arriti të konfirmohej si një titullar në radhët e skuadrës ku për herë të parë e afroi Paolo Tramexani. Kontrata e lojtarit përfundonte këtë edicion e duket se 30-vjeçari nuk mendon të ndryshojë përsëri, por të mbetet aty ku di mirë se çfarë kontributi mund të japë. /vipsport/