Gjatë ditës së djeshme, në media të ndryshme ka qarkulluar lajmi se trajneri Goçe Sedloski do të largohet nga Vllaznia. Në fakt, edhe pse e arriti objektivin e kualifikimit në Europë, ai duket se nuk ka realizuar pritshmëritë e stafit drejtues dhe tashmë është e konfirmuar nga burime zyrtare për “Shkodra Sport” se, trajneri Goçe Sedloski i ka dhënë lamtumirën ekipit kuqeblu.

Ndoshta, për këtë trajner pritshmëritë kanë qenë më të mëdha, por duhet thënë se tashmë është fakt se ai do të largohet nga Vllaznia pas përfundimit të sezonit. Edhe pse arriti objektivin për pjesëmarrjen në Europë përmes kampionatit, duket se klubi i Vllaznisë nuk është bindur për të vijuar bashkëpunimin me maqedonasin 49-vjeçar.

“Shkodra Sport” mëson se pavarësisht faktit që klubi ka njoftuar për një kontratë deri në fund të sezonit 2023-2024 me trajnerin Sedloski, mësohet se palët kishin një klauzolë për rishikimin e saj në fund të sezonit. Në këtë mënyrë, burime zyrtare pranë palëve konfirmojnë për “Shkodra Sport” se, gjithçka është mbyllur me një marrëveshje të dyanshme.

Nje gje te tille e ka konfirmuar edhe vete menaxheri i trajnerit i cili per gazeten tone eshte shprehur shkurt: “Po, eshte e vertete. Maredhenia e trajnerit Sedloski me Vllaznine eshte mbyllur me nje marreveshje mes paleve”.

Eleminimi nga Kupa e Shqipërisë, por edhe detaje të tjera, mësohet se nuk kanë bindur klubin për të vijuar projektin me Sedloskin. Në fakt, vetë presidenti Alban Xhaferi, i pyetur pak ditë më parë nga “Shkodra Sport” në lidhje me situatën e trajnerit maqedonas, la gjithçka të hapur, duke mos e konfirmuar Sedloskin.

Ndoshta që, aty u kuptua që palët nuk do ta vijonin bashkëpunimin për sezonin e ardhshëm dhe një gjë e tillë, tashmë është bërë realitet. Ndërkohë, emri më i lakuar si zëvendësues i Goçe Sedloskit është ish-tekniku gjerman i Vllaznisë, Thomas Brdariç, por ndoshta pritet që vetë klubi të vendosë në orët në vijim në lidhje me trajnerin e ri.
Maringlen ZHIVANI