Pavarësisht problemeve që ka patur ekipi i parë i Vllaznisë me liçensimin për në Kupat e Europës, duke mos e marrë dot liçensën përkatëse, kjo nuk do ta pengojë ekipin U-19 të klubit shkodran për të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve të Europës për të rinjtë.

Rikonfimimi i tij si kampion i Shqipërisë edhe për sezonin 2017-2018, ka bërë që ai ta fitojë këtë të drejtë për të luajtur sërish në këtë kompeticion të rëndësishëm europian të moshave.

Klubi i Futbollit Vllaznia mësohet të ketë plotësuar të gjithë dokumentacionin e duhur dhe ka konfirmuar pjesmarrjen e këtij ekipi në UEFA.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Luan Zmijani në këtë mënyrë do të ketë një verë shumë të nxehtë përpara. Pikësëpari, kuqeblutë 19 vjeçarë do të presin hedhjen e shortit, që do të ndodhë në muajin gusht ndërkohë që ndeshja e parë pastaj do të luhet në muajin shtator.

Vllaznia U-19 ka marrë pjesë edhe vitin e kaluar në “Uefa Youth League” dhe shorti e pat vënë përballë ekipi moldav të Zimbrus.

Ndeshja e parë e luajtur në transfertë përfundoi me fitoren e vendasve me rezultatin 3-1. Shkodranët tentuan përmbysjen dy javë më vonë në “Loro Boriçi” megjithatë nuk ia dolën.

Humbën sërish, këtë herë me shifrat 2-4 duke mos shkuar dot në turin e dytë të këtij kompeticioni të rëndësishëm.

Megjithatë, opinioni i të gjithë specialistëve ka qenë se Vllaznia U-19 mund dhe duhej të kishte bërë më mirë në atë pjesmarrje të parë ndërkombëtare por duket se është kushtëzuar nga mungesa e përvojës së futbollistëve të saj.

Normale kjo ngaqë ka qenë pjesmarrja e tyre e parë në një eveniment të tillë kaq të rëndësishëm ndërkohë që sivjet do jetë pjesmarrja e dytë dhe padyshim që pritet më shumë prej këtij ekipi.

www.shkodrasport.com