✍️ Shkruar nga “Shkodra Sport”
Basania vazhdon të gabojë dhe si rrjedhojë e ka përkeqësuar pozitën e saj në renditje. Por ajo që të bën përshtypje është se për të disatën herë kjo skuadër kalon e para në avantazh, por nuk arrin ta ruajë atë dhe në fund e pëson.
Kështu i ka ndodhur edhe sot në sfidën e luajtur në Shijak ndaj Erzenit vendas. Skuadra e drejtuar nga trajneri Erjon Mani e mbylli pjesën e parë në avantazh 1-0 falë golit të shënuar nga Jurgen Gjini, por në të dytën ka pësuar dy gola dhe si rrjedhoja ka dalë e humbur nga “Tofik Jashari”.
Takimi ka nisur mirë për miqtë nga Bushati të cilët luajnë mirë dhe pas disa përpjekjesh, arrijnë të kalojnë të parët në avantazh. Ka qenë minuta e 35-të kur Egzon Shimaj nis një top në zonë për Jurgen Gjinin i cili e kontrollon bukur me gjoks, e ul dhe gjuan fort me të majtën duke e dërguar topin në rrjetë.
Pjesa e parë do të mbyllej me avantazhin 1-0 në favor të Basanias. Në të dytën ndodh ajo që nuk pritej. Në minutën e 52-të pas një goditje këndi nga e djathta, Chillambo i lirë brenda zone godet saktë me kokë duke mposhtur portierin Marku.
E njëjta histori në ’66, por këtë herë nga e majta dhe krosi në zonë shkon tek Hasanaj që godet saktë dhe e dërgon sërish topin në rrjetë. Më pas, pavarësisht përpjekjeve të të dy ekipeve nuk do të kishte gola të tjerë dhe i gjithë takimi do të mbyllej me shifrat 2-1 për Erzenin.
Basania mbetet sërish në kuotën e 6 pikëve pas 8 ndeshjesh të luajtura dhe ndodhet në vendin e nëntë të renditjes, ndërsa Erzeni me fitoren e sotme shkon në kuotën e 16 pikëve dhe ngjitet në vendin e katërt.















