Vllaznia tashmë është në “ethet” e klasikes së futbollit shqiptar që do luhet ditën e premte. Ndeshja që përfaqëson një pjesë të mirë të futbollit tonë dhe që vë përballë dy klubet më të vjetra si shkodranët dhe Tiranën, shihet si një duel që luhet për titull. Pavarësisht se është vetëm fillimi i kampionatit, por të dy ekipet kanë objektiva madhorë.

Kuqeblutë vijnë pas një fitoreje në frymën e fundit kundër Kukësit në shifrat 2-1. Ndërsa kryeqytetasit pasi siguruan 3 pikët javën e kalur me fitoren 0-2 në Rrogozhinë përballë Egnatias. Të dy skuadrat vijnë në formën e duhur dhe me humorin në kulm para sfidës klasike. Fakt që garanton për një duel të gjithin për t’u shijuar.

E tek Vllaznia ka nga ata që e njohin shumë mirë kundërshtarin, e as më pak e as më shumë se sa thuajse i gjithë stafi teknik i skuadrës. Duke filluar nga trajneri Mirel Josa.

Një ish-mesfushor i shquar i 17 Nëntorit të famshëm, ku me fanellën bardheblu shkëlqeu si lojtar duke fituar tituj pafund. E po ashtu si trajner u shpall kampion me ekipin ku u rrit dhe u konfirmua si një prej futbollistëve më të mirë në Shqipëri.

E po ashtu zëvendës trajneri, Vioresin Sinani në sezonin 2006-07 ishte pjesë e Tiranës. “Ujku” jo vetëm që fitoi titullin kampion me bardheblutë, por gjithashtu edhe Këpucën e Artë atë sezon në Superiore.

Përjashtim nuk bën as Auron Miloti. Tashmë në rolin e drejtorit sportiv tek Vllaznia, ish-sulmuesi ka fituar 3 tituj kampion me Tiranën në vitet 1994-98, ku ai ka mbajtur veshur fanellën e rekordmenëve të futbollit tonë.

Vetëm Ideal Lekiqi, trajneri i portierëve aktual tek Vllaznia nuk ka një të shkuar me Tiranën nga stafi aktual teknik. Pra një treshe që e njohin mirë Tiranën në stolin e Vllaznisë. Pavarësisht se ky fakt ka pak ose aspak të bëjë në fushën e lojës ditën e premte. Ku gjithçka do jetë një histori që i përket së tashmes dhe jo së shkuarës.

Endri ÇINARI