Klubi i Hamburgut është gjobitur me 503.400 euro nga Federata Gjermane e Futbollit (DFB) për sjellje antisportive të tifozëve të tij gjatë disa ndeshjeve, përfshirë edhe ‘Nordderby’ kundër Werder Bremenit. Vendimi erdhi pas tetë incidenteve të regjistruara dhe vjen menjëherë pas investimeve të fundit në merkato.
Shumica e gjobës, 300.000 euro, i referohet incidentit në derbin e veriut, ku u hodhën mjete ndezëse, kapsolla, flakadanë etj., duke bërë që ndeshja të fillonte me vonesë.
Një pjesë tjetër e konsiderueshme, 113.400 euro, u mor nga ndeshja jashtë fushe ndaj Kolnit, ku tifozët shkaktuan përsëri një spektakël piroteknik, duke vonuar fillimin e ndeshjes për gati katër minuta.
Lista e shkeljeve përfshin gjithashtu përdorimin e mjeteve piroteknike në ndeshjet kundër skuadrave si Union Berlin, Heidenheim, Augsburg, Borussia Dortmund dhe Holstein Kiel. Për më tepër, hedhja e pesë topave të mëdhenj letre në fushë gjatë ndeshjes me Heidenheim-in solli një gjobë shtesë prej 6.000 eurosh, duke çuar shifrën totale mbi gjysmë milioni.
Vlen të theksohet se në sezonin e kaluar Hamburgu kishte paguar mbi 100.000 euro për përdorim të flakadanëve gjatë derbit kundër St. Paulit. Megjithatë, DFB lejon që klubi të përdorë rreth një të tretën e gjobës (rreth 167.800 euro) për masa sigurie dhe parandalimin e dhunës, me detyrimin për të paraqitur prova deri më 30 shtator 2026.


