Nga Gjergj KOLA

Mbrëmjen e djeshme në Londër është mbajtur ceremonia e Çmimeve të FIFA-s, “The Best” për vitin 2023, ku janë dhënë çmimet e më të mirëve në 7 kategori. Ndër personazhet e shumta të ftuara nga fusha e futbollit, ka qenë i pranishëm me një ftesë të veçantë edhe një shkodran.

Bëhet fjalë për Ergys Pepajn, ish- futbollistin i cili tashmë është bërë shumë i njohur në mbarë Botën si krijues i lojërave të futbollit dhe jo më kot është bërë i famshëm duke patur mbi 1.5 milion ndjekës dhe 41 milion pëlqime në Tiktok.

Ergysi është djali i Selami Pepajt, ish-trajnerit të Vllaznisë në futboll për femrave dhe është i njohur për aftësitë e tij futbollistike. Ai është aktualisht një ambasador i Sports Direct dhe ka punuar me Puma, EA dhe Under Armour Sports, si dhe ka filmuar me Manchester City dhe Arsenal Football Club.

Vetë Ergysi ekskluzivisht për “Shkodra Sport” na ka dërguar disa nga fotot e bëra në ceremoninë e mbrëmshme teksa shihet duke pozuar për fotografët e pranishëm dhe më pas ka bërë foto edhe me presidentin e FSHF-së Armand Duka, por edhe me shumë personalitet të tjera të futbollit dhe njëri prej tyre ishte braziliani i famshëm Ronaldo.

Fakti që Ergysi ka qenë i ftuar nga organizatorët, pra FIFA, tregon qartë se sa i rëndësishëm është bërë ai me veprimtarinë e tij futbollistike dhe padyshim që kjo është një kënaqësi e madhe edhe për familjen dhe të gjithë shqiptarët./SHKODRA-SPORT.COM/