Eni Imami nuk do të jetë pjesë e Dinamos sezonin e ardhshëm. Gazeta mëson ekskluzivisht se mbrojtësi kryeqytetas dhe drejtuesit e klubit blu kanë pasur bisedime ditët e fundit, por nuk kanë mundur të gjejnë një akord për rinovimin e kontratës, që i përfundon më 30 qershor.

Pas kësaj date ai del lojtar i lirë dhe do ta vazhdojë karrierën në një skuadër tjetër. Kujtojmë që Imami është një lojtar që ka debutuar në futbollin profesionist pikërisht me fanellën e Dinamos.

Mbrojtësi 30-vjeçar më pas ka veshur fanellat e Laçit, Tiranës, Teutës, Kukësit, Skënderbeut dhe Vllaznisë. Ai u rikthye te Dinamo dy vjet më parë, kur kjo skuadër u rikthye në Superiore pas një periudhe të gjatë.

Në elitë luajti 27 ndeshje, kurse sezonin e fundit, në Kategorinë e Parë, luajti 17 ndeshje. Në të dy rastet shënoi nga 1 gol. Dinamo ndahet kështu me një lojtar me një eksperiencë të konsiderueshme në futbollin shqiptar.

Imami nuk është i vetmi lojtar që ka qenë në bisedime me klubin për rinovimin e mundshëm. Me shumë gjasa, rrugën e tij do ta ndjekin edhe disa të tjerë që ishin pjesë e bluve sezonin e fundit.