Duke filluar nga muaji qershor i këtij viti, Federata Botërore e Boksit Amator (AIBA) ka vendosur që të heqë kaskat për boksierët e rritur. Që do të thotë se në të gjitha garat kombëtare dhe ndërkombëtare që do zhvillohen tani e tutje, sportistët do të hyjnë në ring pa patur në kokë kaskat e tyre të zakonshme. Vendimi tashmë është marrë dhe janë njoftuar të gjitha federatat që janë anëtare të saj, duke përfshirë këtu edhe Federatën Shqiptare të Boksit. Në këtë mënyrë, kjo është një risi për boksin tonë por përveç kësaj, duket se do të ndryshojë edhe mënyra e pikëzimit në ndeshje. Tashmë në çdo ndeshje të boksit amator do kemi vlerësimin me 10 pikë në një raund, ashtu siç e ka edhe boksi profesionist. Të gjitha këto ndryshime në rregullore sigurisht që bëhen për të ofruar boksin amator drejt atij profesionist sepse kuptohet që e ardhmja drejt tij po shkon. Në këtë mënyrë, me shumë mundësi edhe në Lojërat Mesdhetare që do të zhvillohen në muajin qershor, boksierët do të sfidojnë njëri- tjetrin pa kaska në kokë. Ndërkohë edhe në kampionatin kombëtar dhe Kupën e Shqipërisë për të rritur që do zhvillohen në gjysmën e dytë të vitit, do të ketë ndeshje pa kaska dhe vetëm në garat e të rinjve dhe paratërinjve ata do vazhdojnë të ekzistojnë.
www.shkodrasport.com