Pak kohë më parë ka mbushur 73 vjeç megjithatë Paulin Ndoja nuk di të ndalet. Legjenda e portës shkodrane prej një muaji ka nisur sërish punën për stërvitjen e portierëve të rinj të Akademisë Vllaznia. Në një prononcim për televizionin Rozafa ai shprehet se kjo është gjëja që ai të bëjë më mirë se çdo gjë tjetër dhe do ta bëjë atë derisa të mbyllë sytë.
“Unë nuk kam asnjë zanat tjetër, këtë di të bëjë më mirë se çdo gjë tjetër. Në të vërtetë kam kategorinë e shtatë si elektriçist, por zanat nuk di as për kategori të parë. Dhuntinë për të stërvitur portierë ma ka dhënë Zoti dhe këtë punë do të bëjë derisa të mbylli sytë.
Kam kënaqësi të madhe që këta portierët e mi që kam stërvitur prej vitesh, duke filluar nga Sherri, Vjerdha, Bajri, Qarri e për të përfunduar tek Kiri, janë ato që i kam stërvitur 3-4 vite me rradhë. Në momentin më deçisiv u donte të isha sërish pranë tyre. Ato kanë ecur si portierë, por kanë nevojë sërish për punë dhe lus Zotin që edhe dy vjet të punoje me ta që të shpërthejnë pastaj sepse janë të gjithë portierë me moshë të re duke filluar nga 14, 17, 18 dhe më i madhi 21 vjeç.
E kam pritur me kënaqësi ftesën e drejtuesve të klubit dhe të Akademisë për t’u rikthyer sërish edhe njëherë të punojë me këta portierë dhe pavarësisht se mund të lodhem pak me to, megjithatë unë nuk e konsideroj lodhje por shërbim ndaj punës time dhe zemrës time, pasionit tim. Unë nuk e kam fjalën të më vlerësojë kush, por dëshiroj që derisa të mbylli sytë të baj diçka të mirë për këta njerëz”- ka thënë Ndoja.
Paulin Ndoja me siguri që është një shembull për të gjithë. Pasioni i tij për futbollin është i madh dhe vazhdon të japë kontributin e tij për përgatitjen e portierëve të rinj duke premtuar se porta kuqeblu do të jetë e sigurtë edhe për disa vite.
© shkodrasport.com