Kristian Panuçi mund të kthehet në pankinë më shpejt se sa mendohej pas dështimit në pankinën e Shqipërisë. Por sigurisht nuk bëhet fjalë për pankinën e Romës, ku ai për disa kohë u cilësua si kandidat i mundshëm, por për atë të një klubi në Serie B.
Ai është mes kandidatëve më të mundshëm për të marrë drejtimin e Salernitanës, skuadër e cila në këtë edicion nuk është paraqitur në nivelet e kërkuara, ndonëse prej saj pritej që të bënte hapin e madh dhe të pozicionohej mes ekipeve që luftojnë për ngjitjen në Serinë A. Trajneri Greguçi është në diskutim prej kohësh dhe nëse nuk ndal këtë javë serinë prej 3 humbjesh radhazi në duelin ndaj Venecias, të gjithë duken të sigurt se shkarkimi nga detyra do të jetë i paevitueshëm.
Panuçi ka rival vetëm Luixhi Delnerin, një tjetër emër i njohur i trajnimit italian, por përtej Adriatikut mendojnë se klubi është në kërkim të një trajneri të ri, ndaj ish-tekniku i Shqipërisë është më i favorizuar në këtë garë. /vipsport/