Trajneri I Vllaznisë Armando Cungu është I kënaqur që shorti I kampionatit të ri, e ka përballuar skuadrën e tij aktuale në ndeshjen e parë me Kukësin, ekip me të cilin ka kujtime të bukura në karrierën e tij. Prej 11 ditësh bashkë me ekipin ndodhen në Berane të Malit të Zi duke zhvilluar pjesën më intensive të përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik. Cungu duket i kënaqur me mënyrën si kanë shkuar gjërat gjatë kësaj periudhe dhe natyrisht që tashmë ka filluar të mendojë gradualisht për nisjen e kampionatit të ri që do të startojë më 7 shtator. Në një intervistë për faqen zyrtare të klubit, ai ka thënë: “Gjatë kësaj periudhe, përgatitjet kanë shkuar mirë,djemtë kanë treguar dëshirë për të punuar dhe po i përballojnë mirë ngarkesat stërvitore. Por nuk jam i kënaqur pasi nuk po mbushim disa boshllëqe me lojtarët e duhur dhe koha tashmë në fakt nuk është në favorin tonë”. Natyrisht që drejtuesi i pankinës shkodrane e ka ende mendjen tek merkatoja ngaqë skuadra akoma nuk është plotësuar me lojtarët e duhur.Në lidhje me këtë çështje, trajneri i kuqebluve do të shtonte: “Në fakt, është dashur që të mendohej shumë më përpara për plotësimin e ekipit. Lojtarët të cilët më kanë sjellë, nuk kanë përmbushur pritshmëritë apo nivelin që kërkojmë duke mos bërë diferencën me lojtarët që janë aktualisht në skuadër. Në këto kushte, unë nuk marr lojtarë sa për të mbushur rradhët por lojtarë që ndihmojnë ekipin dhe që marrin përgjegjësi mbi supe për të bërë ndryshimin. Gjithsesi unë kurrë nuk i humbi shpresat edhe pse tashmë ato janë shumë të vogla sepse merkatoja po shkon drejt fundit”. Trajneri Cungu ka thënë dy fjalë edhe për shortin e djeshëm dhe përballjen e parë me Kukësin. I pyetur nëse e dëshironte këtë short dhe ndeshjen e parë në Shkodër, ai është përgjigjur: “Shorti është short, preferencat janë diçka tjetër. Sidoqoftë, më bahet qejfi që në Shkodër në ndeshjen e parë vjen Kukësi, pasi është një skuadër me të cilën kam kujtime të paharrueshme”.

© shkodrasport.com