Tri pikët janë detyrim për Skënderbeun në ndeshjen e sotme ndaj Egnatias në orën 16:45. Pas lojërave të mira në javët e fundit, por të shoqëruara me mungesën e pikëve, trajneri Migen Memelli ka “shkundur” ekipin, duke kërkuar rezultat maksimal ndaj rrogozhinasve, që janë më lart në tabelë.

Memelli theksoi se ekipi ka lënë pas gjithçka që ka ndodhur në javën e kaluar ndaj Partizanit, duke mos dhënë asnjë koment më shumë për gjykimin në këtë ndeshje. Sipas numrit një të pankinës, sfida me Egnatian vlen vetëm tri pikë, prandaj dhe lojtarët duhet të bëjnë një sforco.

Migen, është ndeshja e sotme e duhura për t’u rikthyer te tri pikët, dhe për më tepër përballë një rivali direkt si Egnatia?

E rëndësishme është që të bëjmë mirë dhe të kemi edhe fatin në anën tonë. E them këtë, sepse u pa qartë edhe në Tiranë ndaj Partizanit, që dimë të bëjmë maksimumin, përpos kapacitetit të kundërshtarit.

Nuk kam se çfarë të kërkoj më tepër, por ky është një moment kritik, që ne na mungojnë pikët. Në këto kushte, pa diskutim që jemi të dënuar të hyjmë në fushë për të arritur fitoren e dytë këtë sezon.

Duke qenë se pikët mungojnë, ju bën të ndiheni nën presion për këtë situatë?

Nuk kemi asnjë presion të rezultateve, pasi performanca ka qenë e jashtëzakonshme. Unë kam folur me stafin dhe presidentin dhe çdo gjë është në pritshmëritë që skuadra duhet të kishte.

Por, përtej kësaj, e rëndësishme është që ne kemi një performancë në rritje nga java në javë. Besoj që kur një skuadër kap kulmin atje, duhet mbajtur dhe besimi është. Djemtë kanë punuar fort dhe besoj që sot do të bëjmë mjaft mirë.

Kur thoni mjaft mirë, çfarë keni parasysh?

Kam parasysh atë që do të hyjmë në fushë për të marrë tri pikët. Futbolli i parashikon të tria rezultatet, por ne nuk do ta mendojmë kështu, por do të kërkojmë maksimumin, pasi fitorja është e vetmja që na shkon përshtat.

Duhet të bëjmë maksimumin dhe të dalim me pikët maksimale. Unë nuk i mendoj aspak dy rezultatet e tjera, pasi hyjmë kudo për fitore. E shoh edhe në sytë e djemve që ka shpresë dhe ka besim. Prandaj ndeshja e sotme vlen shumë.

A mund të themi se vlen gjashtë pikë ky takim, duke qenë se luani ndaj një rivali për mbijetesë?

Është një ndeshje radhe që vlen tri pikë. Pa diskutim se meqenëse jemi afër në renditje, kjo e bën takimin më deciziv.

Nuk është se duke qenë poshtë në renditje ne jemi më dobët nga kundërshtari. Pa diskutim e ritheksoj që lojtarët dhe skuadra kanë bërë jashtëzakonisht mirë, por pikët na kanë munguar. Tani jemi në një moment që na duhen pikët.

Pas ndeshjes me Partizanin i keni parë me qetësi rastet e dyshimta dhe nëse po, a vijoni të mendoni sërish njësoj?

Unë nga ky moment do të bashkohem me nëntë kolegët e tjerë të Superiores për të mos ngelur veç. Prandaj po them se këto janë gjëra që i përkasin gjykimit dhe unë do të merrem vetëm me terrenin.