Nuk ka rëndësi se kush do ta fitojë, në fund një futbollist shqiptar do të ngrejë lart Kupën e Italisë, pasi në finale do të ndeshen Lacio e Thomas Strakoshës me Atalantën e Etrit Berishës dhe Berat Gjimshitit. Një ditë pasi ekipi kryeqytetas siguroi biletën duke mundur Milanin, të njëjtën gjë ka bërë edhe ekipi bergamask me suksesin 2-1 përballë Fiorentinës.

Atalanta vinte pas një barazimi spektakolar 3-3 në fushën kundërshtare në ndeshjen e parë, por filloi keq takimin e kthimit pasi pësoi gol pas vetëm 3 minutash kur Gjimshiti dhe shokët e tij të repartit lanë t’u shpëtonte Muriel i cili i dha shpresë skuadrës së Fiorentinës.

Por barazimi erdhi shumë shpejt me anë të penalltisë së Iliçiç dhe kjo qetësoi disi ekipin vendas që qarkulloi me mirë topin në një ndeshje shumë të luftuar në pjesën e parë.

Në të dytën, Atalanta rriti ndjeshëm lojën e saj dhe krijoi më shumë raste derisa gjeti golin me Gomez që i dha avantazhin ekipit dhe praktikisht vulosi kualifikimin pasi ai gol ishte një goditje e rëndë për Fiorentinën që nuk kishte më forca të reagonte. Në fund, festë në fushë mëse e merituar për skuadrën vendase e cila kthehet në finale për herë të parë që nga viti 1996. /vipsport/