Ka të parin sezon në krye të Vllaznisë megjithatë po bën mirë. Ermal Kraja ka arritur ta çojë tashmë këtë ekip deri në finalen e kampionatit por dëshira e tij është për të mos u ndalur këtu.

Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes së djeshme ndaj Tiranës, ai është ndalur edhe tek sfidat e ardhshme me Partizanin për të cilat është shprehur: “Vllaznia ka hyrë në këtë kampionat me pretendimin për t’i shkuar deri në fund dhe tashmë që jemi shumë pranë arritjes së këtij objektivi, nuk ka pse të heqim dorë. Jemi të përgatitur në të gjitha drejtimet për t’ia dalë me sukses dhe na duhet edhe një sforco e fundit për të marrë titullin”.

I pyetur nëse ai e njeh kundërshtarin e finales, Partizanin, për më tepër që Ylli Tomori, trajneri i tij ishte në tribunën e “Qazim Dervishit” për të ndjekur sfidën Vllaznia- Tirana, trajneri i kuqebluve Kraja shprehet se rivali i tij nuk ishte për atë arsye në tribunë.

“Në volejbollin shqiptar i njohim të gjithë ekipet sepse jemi ndeshur me to gjatë gjithë sezonit dhe kemi ide të qarta për pikat e forta dhe të dobëta të secilit prej tyre. Për këtë arsye, edhe trajneri Tomori nuk besoj se ka qenë në Shkodër për të ndjekur Vllazninë, por si gjysmëshkodran që është, mesa duket ka ardhur të bëjë tifozllëk për ne”.
© shkodrasport.com